Të shumta janë ende sot paragjykimet në botën tonë moderne, të shumta kanë qenë ato edhe në të kaluarën, por jo pak prej atyre do të mbeten edhe për mjaft kohë, sidomos në vendin tonë. Siç dihet, paragjykimet prekin një numër të konsiderueshëm sferash të veprimtarive njerëzore. Gjithsesi, njëri prej paragjykimeve më të lashta, në mos më i lashti, është ai i epërsisë së mashkullit ndaj femrës, paragjykim ky i nxitur e i mirëmbajtur nga regjimet obskurantiste dhe/ose diktatoriale e dikurshme, por edhe sot nga një tendencë seksiste kryeneçe.
Kështu, femrat ende konsiderohen, në mjaft vende, si më të zonja në fusha të tilla si arsimi parashkollor, ai fillor dhe ai i mesëm, si mësimdhënia e gjuhëve të huaja, si shkencat njerëzore (antropologji, psikologji, sociologji e gjuhësi), farmakologjia dhe infermieristika, kurse meshkujt si më të aftë në shkencat e sakta dhe disa të tjera, në art e letërsi, si edhe, veçanërisht, në qeverisje.
Meqë ra fjala te shkencat e sakta, është pikërisht dhuntia për matematikë që, për shekuj të tërë, është konsideruar si tipike mashkullore, paragjykim ky që mbështetej te një teori, sipas së cilës truri femëror është ndërtuar në mënyrë të tillë që i privon femrat nga kjo dhunti, ndërsa truri i mashkullit, sipas së një njëjtës teori, na qenka më i predispozuar për matematikë se ai i femrës.
Mirëpo, këto kohët e fundit, shkencëtarët që studiojnë funksionet e trurit njerëzor, kanë zbuluar se e ashtuquajtura mungesë e dhuntisë për matematikë te femrat shpjegohet me faktorë socialë: Meqë ndër shekuj, shoqëria, e drejtuar dhe e kontrolluar nga meshkujt, ka menduar dhe këmbëngulur se femrat nuk janë të afta për matematikë, vetë femrat, duke iu nënshtruar këtij paragjykimi, kanë bërë që në trurin e tyre të krijohet një vatër e fuqishme frenimi lidhur me aftësinë e tyre në fushën e matematikës, sidomos të matematikës së lartë.
Ka plot shembuj të tjerë si ky i matematikës që dëshmojnë për këtë vetëfrenim me origjinë psikosociale te femra, por paragjykimi tjetër që të bën po aq përshtypje është se për fushat ku mendohet se femra është më e talentuar se mashkulli, pretendohet se kjo epërsi na qenka thjesht sasiore dhe jo cilësore, për shembull, në fushën e artit të kuzhinës sigurisht që ka më shumë femra që gatuajnë, por kuzhinierët më të mirë na qenkan meshkuj. (Revista Psikologji)