Paralajmërohet kallëzim penal ndaj drejtuesve të Këshillit të Cilësisë

Prishtinë | 18 Mar 2020 | 08:11 | Nga Ekonomia Online

Kallëzim penal ndaj kryetarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (bordit) të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Gazmend Luboteni, nënkryetares, Vjollca Krasniqi, e ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të AKA-së, Avni Gashi, kanë paralajmëruar tre anëtarë të këtij bordi.

Anëtarët Rozafa Koliqi, Dukagjin Zeka e Arta Jakupi pretendojnë se kryetari, nënkryetarja e Bordit dhe ish-ud. i Agjencisë kanë bërë disa shkelje që lidhen me procesin e akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas një letre që ia kanë drejtuar ditë më parë ministres së Arsimit, Hykmete Bajrami, dhe Komisionit parlamentar për arsim, një nga shkeljet që e kanë përmendur ata është ngecja e qëllimshme e aprovimit të listës së ekspertëve ndërkombëtarë për akreditim. Ekspertët e bëjnë vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë ose të programeve studimore dhe në bazë të rekomandimit të tyre KSHC-ja merr vendim për akreditim ose jo.

Në letrën e 3 anëtarëve të KSHC-së thuhet se procesverbalet e mbledhjeve që nga data 15 qershor 2019 deri më 16 janar të këtij viti nuk janë sjellë për aprovim në mbledhjet e Këshillit dhe nuk janë aprovuar ende. Po ashtu, thuhet se ka pasur aprovim të aplikacioneve për akreditim pa verifikim paraprak të stafit akademik, si dhe janë sjellë ekspertë ndërkombëtarë pa aprovim nga Këshilli dhe vetëm me kërkesë të institucioneve të arsimit të lartë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme