Qytetarët e Gjakovës kanë paralajmëruar protestë më 6 janar, për të parandaluar siç kanë thënë “hyrjen e kriminelëve serb nën petkun e “ pelegrinëve serb”.
Lajmi është bërë i ditur nga Shoqata Krimet e Luftës Gjakova 98/99, në një letër dërguar shefit të diplomacisë së Kosovës në detyrë Behgjet Pacolli.
“Situatat e tilla do të ngritin tensione të vazhdueshme në Gjakovë, nëse ju nuk ndërmerrni masa të parandaloni hyrjen e kriminelëve serb nën petkun e “ pelegrinëve serb”, probleme të tilla do të kemi në vazhdimësi edhe këtë vit. Këto tensione do të dëmtojnë jo vetëm imazhin tonë, por edhe marrëdhëniet tona ndër njerëzore dhe ndër kombëtare. Pas dënimit të kriminelëve që Zyra për krimet e luftës i dorëzoj Prokurorisë dhe Policisë për Hetime të Krimeve të Luftës, atëherë shpresojmë se do të jetë e qetësi”, thuhet në letër.
Shoqata Krimet e Luftës Gjakova 98/99 thotë se mos dënimi i kriminelëve serbë po i lejon Serbisë të bëjë lojëra dhe pazare me eshtrat e shqiptarëve të kësaj komune, ku ende janë të pagjetur në varreza masive të fshehura nga ushtria serbe.
“Ardhja e kriminelëve nën petkun e “pelegrinëve” serb po sjell shumë pa kënaqësi dhe dhunë. Dhuna përsëri do të peshojë mbi shqiptarët e viktimizuar. Kriminelët nën petkun e pelegrinëve në Kosovë tentojnë të vijnë në Komunën e Gjakovës, pikërisht ata që edhe ishin pjesëmarrës në krime ndaj shqiptarëve. Njerëzit në këtë qytet i njohin shumë mirë cilët janë ata. Ardhja e tyre në Komunën e Gjakovës për familjet që humbën anëtarët e tyre, për gratë e dhunuara dhe familjet e viktimave të pagjetura është e padurueshme dhe jo e tolerueshme. Të krekosën dhe krenohen për dhunimin e 5000 femrave shqiptare të kësaj Komune, për vrasjen dhe masakrimin e 113 fëmijëve dhe 1662 banorëve, e milion e miliona dëme materiale, kjo do të thotë se Komuna e Gjakovës që nga pas lufta, mezi nëpërkëmb dhembjen”, thekson Shoqata Krimet e Luftës Gjakova 98-99.
Për më tepër, shoqata kërkon nga shefi i diplomacisë Behgjet Pacolli të bashkëpunojë me Policinë për Hetime të Krimeve të luftës, ku Komuna e Gjakovës dorëzoi mbi 1605 dosje për kriminelët që kanë kryer krimet ndaj shqiptarëve, të parandalojë hyrjen e kriminelëve dhe në të njëjtën mënyrë të merren masat e arrestimit të tyre.