Paraqitet ankesë ndaj caktimit të paraburgimit për deputetët Zeka e Demaliaj

Prishtinë | 01 Tet 2018 | 16:28 | Nga Ekonomia Online

Avokatët mbrojtës, Gazmend Halilaj dhe Arianit Koci, kanë paraqitur ankesë kundër paraburgimit prej 30 ditësh për klientët e tyre, deputetë të Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka dhe Shkumbin Demaliaj.

Në një prononcim për Indeksonline ata kanë thënë se janë duke pritur që gjatë kësaj jave, Gjykata e Apelit të marrë vendim në favor të tyre dhe deputetëve t’iu ndërpritet masa e paraburgimit.

Gazmend Halilaj, avokati i Milaim Zekës, për Indeksonline ka thënë se ankesa është paraqitur të premten dhe shpreson se masa do të ndërpritet me arsyetimin se nuk ka prova materiale të mjaftueshme për të mbajtur më tej klientin e tij në paraburgim.

“Të premten është paraqitur ankesa kundër paraburgimit prej 30 ditësh për Milaim Zekën. Janë disa procedura që duhet të kryhen ku prokurori brenda 24 orëve e pranon rastin, pastaj ajo shkon në Gjykatën e Apelit, do të thotë deri të mërkurën ose të enjten nuk pritet që të shqyrtohet ky rast. Nëse gjykata arrin të bëj një vlerësim të të gjitha rrethanave, nuk ka mundësi tjetër veçse ta lirojë para se t’i bëj 30 ditë paraburgim. Unë besoj që nuk ka prova dhe materiale të mjaftueshëm për të mbajtur më tej Milaim Zekën në paraburgim. Kjo masë duhet të ndërpritet dhe as nuk duhet të zëvendësohet me masa të tjera, pasi nuk ka shkaqe”, ka deklaruar Halilaj për Indeksonline.

Ndërsa, avokati i deputetit Demaliaj, Arianit Koci thotë se Gjykata e ka caktuar paraburgimin pa asnjë provë në shkresat e lëndës.

“Kam përshtypje se po bëhet gjueti e shtrigave ndaj personave të caktuar dhe se praktika gjyqësore nuk po aplikohet për të gjithë njëjtë. Në fakt, ka gjyqtar që vazhdimisht i aprovojnë kërkesat e prokurorisë, edhe pa pasur prova në shkresa të lëndës. Kemi rastin kur dy deputetë janë rrahur në studio, ka pasur fjalë të rënda dhe nuk është caktuar masa e paraburgimit. Ajo çka po më brengos është se gjykata e ka caktuar paraburgimin pa asnjë provë në shkresat e lëndës. Thjesht, nuk ka pasur as xhirim as ndonjë kopje të artikujve në gazeta apo portale, lidhur me deklarimin e Demaliaj. Madje, në kërkesë për caktimin e paraburgimit, nuk është përcaktuar as koha kur kinse është kryer vepra penale e kanosjes”, ka deklaruar Koci.

Sidoqoftë, ai thotë se ankesën e ka dorëzuar dhe beson që Gjykata e Apelit do ta aprovojë të njëjtën.

Ndërsa, ai thotë se deklarimi i Demaliajt ka qenë në afekt, dhe se ai ka kërkuar falje.

“Dua të theksoj që gjuha e deputetit duhet të jetë e matur, gjithsesi, dhe në të njëjtën kohë, prokurorët duhet ta kryejnë punën e vet, të qetë dhe pa presione. Por, a kaq lehtë qenka një prokuror të frikësohet? Në të njëjtën kohë, deklarimi i deputetit Demaliaj ka qenë deklarim emocional, në afekt, dhe për këtë ai ka kërkuar falje. Poashtu, ish prokurori Blakaj dhe as familja e tij, nuk janë ankuar që po e ndiejnë vetëm të kërcënuar nga Shkumbin Demaliaj”, ka shtuar ai për Indeksonline.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër deputetit Milaim Zeka  për veprën penale Kanosje ndaj prokurorit Afrim Shefiku, ndërsa Shkumbin Demaliaj për kanosjen ndaj ish prokurorit, Elez Blakaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme