Prokuroria Themelore Publike – Gostivar ka lëshuar urdhër për procedurë hetimore ndaj një personi për vepër penale “sulm seksual ndaj fëmijës nën moshën 14 vjeçare”, ndërsa ndaj tij dhe ndaj dy të dyshuarve të tjerë si bashkëpunëtorë ka nisur procedura për veprën penale “mashtrim”.
-“I dyshuari i parë, 37 vjeçar, banues në Koçan, në dy raste më 23 dhe 24 nëntor në një banesë në Gostivar, ka kryer akt seksual ndaj një fëmije të lindur në vitin 2012. Nëna e fëmijës ka thirrur të dyshuarin, i cili është prezantuar si hoxhë, për ta “shëruar” fëmijën nga magjia e zezë. I dyshuari ka kërkuar të lihet vetëm me fëmijën viktimë në dhomë dhe e ka detyruar atë në akte seksuale. Viktima, nga frika nuk ika treguar asgjë nënës së saj. Por kur nëna ka dashur ta thërrasë për të tretën herë të dyshuarin më 5 dhjetor, vajza e shqetësuar ka treguar se çfarë po ndodh me të, pas së cilës ngjarja është denoncuar në polici”, thuhet në njoftimin e sotëm të Prokurorisë Publike.
Nga Prokuroria gjithashtu sqarojnë se i dyshuari, së bashku me dy bashkëpunëtorët e tjerë nga Gostivari, kanë mashtruar një viktimë tjetër.
“I dyshuari i parë, në marrëveshje me dy të tjerët, i është prezantuar të dëmtuarës si hoxhë i cili do ta ndihmojë në largimin e magjisë së zeza nga shtëpia e saj. Në disa raste, të tre e bindën atë se për të hequr magjitë, duhej të nxirrnin objekte të ndryshme nga varrezat dhe kështu të nxirrnin magjitë nga ajo dhe shtëpia e saj. Për shërbimin i kanë kërkuar gjithsej 98.000 denarë. Kur ata filluan të bien dakord për një takim të ri, e dëmtuara dyshoi se ajo ishte mashtruar dhe rastin e denoncoi në polici”, njoftojnë nga PTHP-ja.
Për të dyshuarin e parë, Prokuroria Themelore Publike-Gostivar, gjyqtarit të procedurës paraprake i ka dorëzuar propozim për caktimin e paraburgimit, ndërsa për dy të dyshuarit e tjerë janë propozuar masa të kujdesit.