Qasje të re e cila bazohet në “mençuri politike” të Bashkimit Evropian dhe kritere të rrepta për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, ka propozuar Franca.
Mbështetur në një dokument jozyrtar të cilin e ka siguruar “Koha Ditore”, janë katër parime mbi bazën e të cilave duhet të rihapet perspektiva evropiane e Ballkanit. Ky rishikim i marrëdhënies është arsyetuar me faktin se reformat e ndërmarra nga vendet e Ballkanit deri tani kanë qenë shumë të ngadalshme.
Në dokumentin 5-faqesh janë propozuar edhe masat ndëshkuese deri në pezullim të tërësishëm të negociatave në situatat kur vendi kandidat, tërësisht ose pjesërisht dështon së përmbushuri zotimet që ka dhënë. Por nuk jepet ndonjë datë se kur Ballkani Perëndimor mund të bëhet pjesë e familjes evropiane.
Mbi bazën e udhëzimeve të dhëna, shteti francez ka kërkuar prej institucioneve relevante të trasojnë rrugën e re të marrëdhënies BE-Ballkan Perëndimor, deri në janar të vitit 2020.