Parisi mban zi për Valentino Garavanin

Prishtinë | 21 Jan 2026 | 12:19 | Nga Ekonomia Online

Vdekja e disenjatorit legjendar, Valentino Garavani, ka hedhur një hije të rëndë mbi ditën hapëse të Javës së Modës për burra në Paris, të martën, ku figura të industrisë dhe të ftuarit në rreshtat e parë shprehën dhimbjen për humbjen e një prej emrave më të mëdhenj të modës së lartë, që njihet si “Couture”, të shekullit XX.

Valentino Garavani ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare në rezidencën e tij në Romë, ka njoftuar Fondacioni Valentino Garavani dhe Giancarlo Giammetti, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.

Ani pse shtëpinë e tij e ka ndërtuar në Romë, ai ka kaluar dekada të tëra duke prezantuar koleksionet e tij në Paris, qytetin që e ktheu modën në institucion.

“Ai ishte një nga krijuesit e fundit të mëdhenj që mishëroi vërtet atë që ishte moda e shekullit XX”, ka thënë Pierre Groppo, kryeredaktor i modës në Vanity Fair France.

Në një ditë që zakonisht i përket së ardhmes së modës, shumë të pranishëm thanë se mendja e tyre ishte te ajo që industria kishte humbur: disenjatorin si institucion i gjallë.

Groppo ka përmendur kodet që e bënin Valentinon menjëherë të dallueshëm, “pikat, falltat me rrudha, nyjat”, si dhe një brez disenjatorësh që, sipas tij, “në një farë mënyre shpikën kulturën e famës”.

Vizioni i Valentinos ishte i ndërtuar mbi një ide të thjeshtë: t’i bënte gratë të dukeshin rrezatuese dhe momentin të paharrueshëm. Ai ka veshur figura ikonike si ish-zonja e parë e SHBA-së, Jacqueline Kennedy Onassis dhe artistja Elizabeth Taylor, e nguliti ngjyrën e tij të famshme “Valentino red” në imagjinatën kolektive dhe, përmes partneritetit shumëvjeçar me biznesmenin Giancarlo Giammettin, e shndërroi edhe vetë disenjatorin në pjesë të spektaklit, po aq të njohur sa klientët në rreshtat e parë të pasarelave.

Fundi i një epoke në modë

Shkrimtari i njohur i modës Luke Leitch e ka përshkruar humbjen me terma po aq të mëdhenj, duke e quajtur Valentinon “të fundit nga ‘leviatanët’ e asaj gjenerate”, dhe duke thënë se kjo shënonte “padyshim” fundin e një klase të caktuar disenjatorësh: figura, emrat e të cilëve mbanin peshën e një shtëpie globale dhe autoriteti i të cilëve vinte nga qëndrueshmëria, jo nga viraliteti.

I formuar në Paris përpara se të themelonte shtëpinë e tij në Romë, Valentino u bë një figurë lidhëse e rrallë: italian nga origjina, por thellësisht i rrënjosur në ritualet që e bënë disenjatorin parisien një institucion. Karriera e tij lëvizi mes dy kryeqyteteve të elegancës, duke sjellë madhështinë romake në një sistem që modën e sheh jo vetëm si tregti, por edhe si ceremoni.

Edhe në vitet e fundit, themeluesi i shtëpisë Valentino vazhdonte të shfaqej në shfaqjet couture dhe ready-to-wear, derisa gradualisht u tërhoq nga jeta publike, duke ruajtur gjithmonë një prani madhështore në rreshtin e parë.

Për shumë njerëz në Paris, humbja u ndje personale, pikërisht sepse bota e Valentinos nuk ishte kurrë vetëm italiane.

“Valentino ishte shumë më tepër sesa një markë mode. Ishte një mënyrë jetese”, ka thënë Groppo.

Kjo mënyrë jetese, rafinimi couture, glamuri shoqëror dhe bindja se eleganca mund të jetë një formë pushteti, mbetet referencë, edhe në një epokë ku moda po lëviz drejt cikleve më të shpejta dhe brandingut më të zhurmshëm.

“Është shumë e trishtueshme, sepse ai ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për industrinë e modës dhe kontribuoi shumë. Nuk mund ta harroj të kuqen mahnitëse që ka krijuar. Ai gjithmonë festonte bukurinë e pastër, arkitekturën e siluetës dhe mënyrën si përdorte ngjyrën. Epoka e vjetër sapo kaloi”, ka thënë influencuesja kineze e modës Lolo Zhang, e pranishme në shfaqjen e brendit prestigjioz të veshjeve “Louis Vuitton” në Paris.

Yves Saint Laurenti, Chanel e Valentino

“Ka njerëz që duan të jenë Yves Saint Laurenti, Coco Chaneli… Ka edhe njerëz që janë spontanisht Valentino. Është çështje identiteti”, ka thënë Guy-Claude Agboton, zëvendëskryeredaktor i revistës Ideat.

Për vëzhguesin e modës Benedict Epinay, dhimbja lidhej edhe me kujtimet.

“Ishte një moment i jashtëzakonshëm. Pata fatin të jem në shfaqjen e fundit që ai dha. Ishte shumë prekëse, sepse e dinim se ishte shfaqja e fundit”, ka thënë Epinay.

Vëzhguesi tjetër i modës, Arfan Ghani, ka theksuar atë që Valentino përfaqësonte për disenjatorët e rinj: një standard elegance dhe përmbajtjeje në një kohë që shpesh shpërblen zhurmën.

“Ishte shumë klasik në materiale. Nuk ishte aq i zhurmshëm sa janë shumë brende të tjera sot”, ka thënë ai.

Skulptorja me bazë në Paris, Ranti Bam, e ka përshkruar Valentinon me gjuhën e formës.

“Si skulptore, e shihja Valentinon si artist. Ai e tejkaloi modën dhe e shndërroi në skulpturë. Ai nuk ndiqte trende, ai ndiqte formën. Prandaj puna e tij nuk vjetrohet, ajo mbetet”, ka thënë ajo.

Shtëpia e modës Valentino vazhdon prej vitesh nën drejtimin e një brezi të ri disenjatorësh dhe drejtuesish, duke u prezantuar ende veshjet në pasarelat e Parisit, qyteti që do të mbajë gjithmonë gjurmën e tij.

Të ngjashme