Parlamenti Evropian nesër pritet ta miratojë raportin për Kosovën

Prishtinë | 24 Mar 2021 | 19:07 | Nga Ekonomia Online

Raportuesja për Kosovën Viola von Cramon, ka bërë të ditur se nesër Parlamenti Evropian do të miratojë raportin e saj për Kosovën, pasi një gjë të tillë e kishte bërë më herët Komisioni i Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme.

Viola von Cramon në një postim në Twitter, po ashtu ka bërë të ditur se debati mbi raportin e saj do të fillojë rreth orës 11:00.

Me 50 vota për, dhjetë kundër dhe nëntë abstenime, Komisioni për politikë të jashtme i PE-së ka miratuar në muajin shkurt raportin për Kosovën, në të cilin u bëhet thirrje edhe një herë pesë shteteve të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia janë pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një komunikatë të lëshuar nga PE-ja pas këtij votimi, thuhet se “deputetët nënvizojnë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohja nga të gjitha shtetet e BE-së do të ishte në dobi të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Deputetët evropianë po ashtu kanë përsëritur edhe thirrjen për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, pasi Komisioni Evropian qëmoti ka konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme