Kjo thirrje vazhdon të mbetet në raportet e Parlamentit Evropian tash e sa vjet, dhe u përsërit edhe në raportin e fundit, që u miratua në seancën plenare të së enjtes me 472 vota për, 165 kundër dhe 41 abstenime. Pos kësaj, PE-ja e ka përsëritur edhe thirrjen bërë vendeve anëtare, që ta miratojnë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën
Ajo që u miratua para një muaji në Komisionin për politikë të jashtme, u konfirmua edhe nga i gjithë Parlamenti Evropian, në seancën plenare të së enjtes: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, përderisa pesë shtetet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, duhet ta bëjnë këtë sa më parë. Kjo thirrje vazhdon të mbetet në raportet e Parlamentit Evropian tash e sa vjet, dhe u përsërit edhe në raportin e fundit, që u miratua në seancën plenare të së enjtes me 472 vota për, 165 kundër dhe 41 abstenime. Pos kësaj, PE-ja e ka përsëritur edhe thirrjen bërë vendeve anëtare, që ta miratojnë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Por këto porosi nga Parlamenti Evropian nuk do të duhej të entuziazmonin shumë qytetarët e Kosovës. Arsyeja është se rezolutat e Parlamentit Evropian, ndonëse kanë fuqi politike, nuk janë obliguese për vendet anëtare të BE-së. U pa kjo edhe në paraqitjen në debat të sekretares shtetërore nga Portugalia, Ana Paula Zacarias, e cila vetëm përsëriti atë që e thonë tash e tre vjet shtetet që e kanë kryesimin e BE-së, e kjo është: “Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që liberalizimi i vizave e ka për qytetarët e Kosovës dhe do të vazhdojmë të merremi me këtë çështje”.
Para votimit, në Parlamentin Evropian u zhvillua një debat edhe për Kosovën, por edhe për tri shtetet e rajonit, raportet për të cilat u votuan po ashtu.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se i ka kërkuar Qeverisë së re, në krye me kryeministrin Albin Kurti, që të ketë përqendrim të plotë në dialogun me Serbinë. Ajo në fjalimin e saj në Parlament ka thënë se “largimi nga dialogu” nuk mund të jetë opsion as për Kosovën, e as për Serbinë.
“Parlamenti Evropian mbetet i bashkuar fuqishëm krah popullit të Kosovës. Ata janë me shumicë të madhe në favor të BE-së. Në fakt, asnjë popull në rajon nuk shpreh më shumë mbështetje për BE-në sesa populli i Kosovës. Por kjo nuk është diçka që duhet të kuptohet nga ne si e garantuar dhe ne duhet po ashtu të përmbushim obligimet dhe premtimet tona, sidomos për liberalizimin e vizave. Unë ndaj frustrimin me qytetarët e Kosovës për mungesën e liberalizimit të vizave”, ka thënë raportuesja për Kosovën, duke e përsëritur ftesën për vendet anëtare të BE-së që në Këshill të marrin më në fund vendimin për heqjen e vizave për Kosovën.
Von Cramon në një konferencë për media ka shpjeguar në pika të shkurtra raportin e dërguar në Parlamentin Evropian për Kosovën, për vitin 2019/20. Ajo ka shtuar se liberalizimi i vizave është një çështje urgjente që duhet të zgjidhet sa më shpejt për qytetarët kosovarë.
“Kemi prezantuar draft-raportin në nëntor, ndërsa tani e kemi prezantuar të plotë për dy vjet 2019/2020. Kemi pasur bashkëpunim tejet të madh mes të gjitha grupeve nëpër takimet dhe e kanë përmbushur raportin me bashkëpunimin e tyre. Kemi përcjellë mesazhin e artë për Kosovën dhe integrimin e Kosovës, të ardhmen e saj. Ka ende probleme para nesh. Luftimi i korrupsionit është i nevojshëm. Është punë që duhet të shtyhet përpara nga Qeveria e re, që duhet të punojë për rend dhe ligj. Liberalizimi i vizave është një çështje urgjente. Sot edhe një herë tjetër i kemi adresuar Parlamentit Evropian se sa i nevojshëm është liberalizimi i vizave për kosovarët. Qeveria e re duhet të angazhohet për dialogun. Kemi parë në javët dhe muajt e kaluar që është bërë progres dhe do të donim që ky proces të vazhdonte në javët dhe muajt në vijim. Dialogu është parakusht për rrugën drejt BE-së. Marrëveshja me Serbinë është shumë e rëndësishme për integrimet evropiane”, ka deklaruar Von Cramon.
Ajo në fund i ka bërë thirrje spektrit politik në vend që ta zgjidhë edhe çështjen e presidentit sa më shpejt.
“Po ashtu shpresoj që të votohet presidenti i ri, që duhet të ndodhë shumë shpejt dhe të mos ketë shkuarje nga zgjedhjet në zgjedhje”.
Thirrje që Kosova ta zgjedhë presidentin, pasi ka nevojë për qartësi politike, ka bërë gjatë debatit edhe komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi. Ai ka thënë se presidenti i ri i Kosovës duhet të zgjidhet pa vonesa. Varhelyi në seancën e sotme plenare të Parlamentit Evropian ka thënë se Kosova nuk mund t’i lejojë vetes pasiguri të tjera politike në këto kohë sfiduese.
“Qytetarët e Kosovës kanë bërë që zëri i tyre të dëgjohet nëpërmjet zgjedhjeve dhe një lidership i ri së shpejti do të jetë në vend. Janë tri mesazhe kryesore që dua t’i bëj. E para, që është esenciale, të kompletohet sa më shpejt përbërja e institucioneve të reja të Kosovës. Pas formimit të Kuvendit dhe Qeverisë, Kosova duhet ta zgjedhë edhe presidentin e ri pa vonesa. Kosova nuk mund t’i lejojë vetes më tepër pasiguri politike në këto kohë sfiduese”, ka thënë ai, ndërkohë që ka shtuar se e mirëpret që Lëvizja Vetëvendosje i ka prioritet çështjet si lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, zhvillimi ekonomik e social, si dhe zhvendosja drejt ekonomisë së gjelbër, që janë bazë e agjendës evropiane të Kosovës. “Me mandat të fortë Qeveria e re ka mundësi të ofrojë këto reforma”, ka thënë ai.
Varhelyi ka shtuar se është esenciale që të vazhdohet dialogu Kosovë – Serbi. Ai ka folur edhe për ndihmën që BE-ja po e jep për vendet e Ballkanit Perëndimor, për ta siguruar furnizimin me vaksina kundër Covidit.
Parlamenti i ka miratuar raportet edhe për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Ka bërë thirrje që sa më parë të nisin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. (Koha)