Parlamenti Studentor i universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren ia ka dërguar një letër Qeverisë së Kosovës, më saktë MASHT-it përmes së cilës ka kërkuar anulimin e vendimit të Këshillit Drejtues, lidhur me zgjedhjen e rektorit dhe shkarkimin e anëtarëve të këtij këshilli.
PS i UPZ-së veprimet e anëtarëve të KD-së të caktuar nga MASHT-i i ka cilësuar si skandaloze dhe të paprecedent, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Edhe një herë ritheksojmë se konkluzioni apo vendimi inekzistent, që po e përmend vetëm mediatikisht kryesuesi i KD-së, Bedri Muhadri, është kundërligjor, i papranueshëm dhe kërcënim serioz për të ardhmen e universitetit të dytë publik në Kosovë. Legalizimin e një rezultati të tillë nuk do ta lejojmë në asnjë mënyrë.
Këshilli Drejtues nuk ka zgjedhur ende rektorin e ri të UPZ-së dhe Muhadri nuk duhet ta dezinformojë opinionin publik në këtë mënyrë”, thuhet në letrën e PS të UPZ-së, e cila është publikuar në rrjetet sociale.