Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës përmes një Deklarate publike ka paralajmëruar protesta për në pranverë, nëse nuk i plotësohen kërkesat për përmirësimin e kushteve hapësinore dhe të tjera për ngritjen e cilësisë së mësimit.
Në deklaratë thuhet:
Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, si organi më i lartë i përfaqësimit të studentëve në Universitetin e Prishtinës, duke parë gjendjen aktuale në disa fakultete të UP-së, mungesën e hapësirave dhe kushteve të tjera që nevojiten për të pasur cilësi, kërkojmë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që retoriken se duan cilësi në Universitetin e Prishtinës ta kthejnë në praktikë.
Vazhdimisht nga ana e Ministrave të MASHT-it janë shpallur vite të cilësisë e si duket edhe nga ministri aktual viti 2018 do të shpallet vit i cilësisë në arsim. Por kjo, sikur edhe në të kaluarën edhe tani po del të jetë vetëm në mënyrë deklarative dhe aspak diçka serioze në këtë drejtim.
Buxheti i ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës për arsim është një tregues i qartë se sa seriozisht e kanë qeveritarët, përkatësisht ministri i Arsimit z. Shyqeri Bytyçi së duan ta ngrenë cilësinë në arsimin e lartë. Pra arsimi nuk është prioritet i tyre.
Ne si Parlament Studentor vazhdimisht kemi pohuar se gjendja në arsimin e lartë nuk mund të ndryshohet nëse buxheti i destinuar për arsimin e lartë nuk rritet.
Andaj, nga Ministria e Arsimit kërkojmë që të merren masa të menjëhershme për:
1. Rritjen e investimeve në infrastrukturën e fakulteteve në Universitetin e Prishtinës,
1,1. Ndërtimi i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN)
1,2. Ndërtimi i Fakultetit Ekonomik-Juridik.
2. Pajisjen e fakulteteve më laboratorë të kërkimit shkencor.
Pajisjen e bibliotekave me literaturë në gjuhën shqipe, sigurimin e qasjes në platforma ndërkombëtare online.
Bashkëpunimi shtet – Universitet për ofrimin e mundësive të punësimit të studentëve.
Garantimin e praktikës profesionale në institucione apo agjencione shtetërore ose private.
(MASHT në bashkëpunim me Universitetin duhet të krijojnë mundësi përmes ndërmjetësimit me agjenci të ndryshme shoqërore e private për sigurimin e praktikës profesionale për studentët me qellim të aftësimit të tyre për tregun e punës).
Nëse kërkesat tona nuk plotësohen, nuk i përjashtojmë edhe protestat në pranverë, përfundon Deklarata e Parlamentit Studentor të UP-së.