Partia Demokratike e Kosovës: E ardhmja e fëmijëve është mision dhe motiv që duhet të na vë të gjithëve në punë e angazhim

Prishtinë | 20 Nën 2021 | 16:41 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve ka thënë se e ardhmja e sigurt dhe e begatë e fëmijëve të të gjitha familjeve kosovare është mision dhe motiv që duhet të na vë të gjithëve në punë e angazhim, sot, nesër e për çdo ditë.

“Fëmijët duhet të jenë në shkollë për të qenë gati për të ardhmen, e jo në rrugë duke u ballafaquar me pamjaftueshmërinë e të sotshmes. Ata duhet të jenë të sigurt e të mbrojtur nga cenimi i të drejtave të tyre, kurrsesi objekt e viktima të dhunës e keqtrajtimit. Ata duhet të kenë mbrojtje sociale e mirëqenie të qëndrueshme, për të mos u ndjerë të diskriminuar e të pabarabartë, në mes vete dhe ndaj grup moshave të tjera”.

Tutje, nga PDK-ja, kanë thënë se përgjegjësia jonë ndaj tyre është e madhe dhe shumëdimensionale.

Prandaj Partia Demokratike e Kosovës, e konsideron mision fisnik angazhimin për të ardhmen e fëmijëve të vendit tonë. Në Ditën Botërore të Fëmijëve, urojmë të gjithë fëmijët e Kosovës, të të gjitha komuniteteve pa dallim, duke qenë të vetëdijshëm se kemi shumë punë për të bërë deri në jetësimin e ambientit politik e shoqëror qe garanton mundësitë dhe perspektivën për të cilën fëmijët tanë kanë nevojë.

Të ngjashme