Partia e Drejtësisë shprehet e shqetësuar me taktikat e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës në kohë pandemie.
Ato duke mos e votuar ligjin e rimëkëmbjes ekonomike edhe pas shumë përpjekjeve të vazhdueshme nga ana e qeverisë, vetëm se po e rëndojnë gjendjen edhe ashtu të rënduar ekonomike.
Partia e Drejtësisë drejton kritika edhe ndaj Qeverisë që nuk po mundë të mbledhë numrin e deputetëve shumicë dhe ta votojë si pako e propozuar dhe e votuar në leximin e parë.
Shqetësim shpreh edhe ndaj mos komunikimit dhe mos koordinimit të Qeverisë me subjektet tjera të Opozitës.
Qeveria Hoti nuk po jep sinjale të qarta se është për bashkëpunim me Opozitën.
Ajo nuk po tenton t’i mbushë mendjen asnjërës nga subjektet e përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës për pakon e rimëkëmbjes, e cila mundë të jetë një shpresë e vogël për qytetarët.
Siç duket as Qeveria tani më nuk është e sigurt ndaj kësaj pakoje.
Si pako e përgatitur kohë më parë nuk arriti në shërbim të qytetarëve me kohë, dhe tani pandemia me përmasat që ka marrë kërkon ndërhyrjen e dytë apo edhe të tretë si pako rimëkëmbje ekonomike.
Qytetarëve në përgjithësi dhe bizneseve që vazhdimisht po tkurren për nga numri, u ka humbur durimi dhe shpresa, pasi që dora e shtetit e cila vjelë vazhdimisht nga qytetarët nuk e përkthen atë në obligimet ndaj tyre, sidomos në situatat të jashtëzakonshme siç është edhe kjo e pandemisë COVID-19.
Qeveria qëndron duke bërë sehir, duke përdor një sistem të qeverisjes periferike, duke mos qarë hallin për mirëqenien e jetës së qytetarëve, dhe asnjëherë nuk tentoi t’i bindë qytetarët se po punon në të mirë të tyre.
Si faktorë tjetër që po nxitë të përkeqësohet gjendja ekonomike dhe sociale në tërë Kosovën, dhe në të njëjtën kohë të rritet kërkesa për konsum në gjërat elementare të një familje dhe të atyre për barëra është edhe rritja e numrit të përditshëm të të infektuarve si dhe humbja e shumë vendeve të punës.
Partia e Drejtësisë kërkon edhe nga subjektet tjera të përfaqësuara në Kuvend, që të reflektojnë sa më shpejt drejt miratimit të ligjit për rimëkëmbje ekonomike, dhe qytetarët të fillojnë të marrin ndihmën e propozuar edhe ashtu të vonuar.
Me shpresën se do të kalojmë edhe këtë sfidë si shumë të tjera, qytetarët do të jenë të vëmendshëm karshi përfaqësuesve të tyre në të ardhmen, duke kërkuar më shumë përgjegjësi dhe angazhim në të mirë të zgjedhësve të tyre.