Partia gjermane që po bën fushatë kundër maskave e vaksinave

Prishtinë | 22 Sht 2021 | 12:40 | Nga Ekonomia Online

Përderisa Gjermania po përgatitet për zgjedhjet e së dielës, partia e së djathtës ekstreme, AfD, po bën fushatë me agjendë kundër vaksinimit dhe kundër maskave.

Mediumi francez, France 24, ka raportuar nga Bautzen-i në lindje të Gjermanisë, ku është regjistruar shkalla më e lartë e infeksioneve në Gjermani dhe ku partia AfD e ka shënuar rezultatin më të mirë në zgjedhjet e fundit.

“Alternativa për Gjermaninë” shkaktoi senzacion në zgjedhjet e vitit 2017 në Gjermani, kur mori gati 13 për qind të votave. Megjithatë, partia anti-islame e kundër maskave ka mbetur prapa në sondazhe përderisa Gjermania po vuan nga pasojat e pandemisë.

Partia tash po mundohet të kthehet në skenë para zgjedhjeve të së dielës duke i kundërshtuar masat si vaksinimi dhe përdorimi i detyrueshëm i maskave, transmeton Gazeta Express.

Ndonëse ky qëndrim është shqetësim i pakicës në mesin e elektoratit gjerman në përgjithësi, shumë votues në qytezën lindore gjermane janë kundër maskave, pavarësisht faktit se në vendlindjen e tyre është regjistruar rekord i shkallës së infeksioneve në dhjetor.

“Nuk di nëse ndokush ka vdekur nga Covid-i, por njoh shumë njerëz që kanë qenë vërtet të sëmurë ose edhe kanë vdekur pasi janë vaksinuar”, tha një banore.

Deputeti Karsten Hilse nga kjo parti fitoi 37 për qind të votave në këtë vendbanim në zgjedhjet e fundit. Ai prapë ka gjasa të mira për të fituar mandat të ri duke u mbështetur në platformën kundër maskave dhe vaksinave.

Të ngjashme