Një editorial i publikuar nga televizioni shtetëror kinez ka sugjeruar që anëtarët e partisë komuniste janë të detyruar të kenë tre fëmijë për të mirën e vendit, pasi Pekini kërkon të ndalojë rënien e numrit të lindjeve.
Editoriali, i cili u publikua për herë të parë muajin e kaluar, u bë viral këtë javë dhe tërhoqi reagime të mprehta nga përdoruesit kinezë të internetit. Ndërsa vala e reagimit u rrit, artikulli origjinal u zhduk nga faqja e internetit.
Pjesa e publikuar thoshte se çdo anëtar i partisë në pushtet –të cilat janë rreth 95 milionë – “duhet të mbajë mbi supe përgjegjësinë dhe detyrimin e rritjes së popullsisë së vendit dhe të veprojë në përputhje me politikën e tre fëmijëve”.
“Asnjë anëtar i partisë nuk duhet të përdorë asnjë justifikim, objektiv apo personal, për të mos u martuar apo të ketë fëmijë, as nuk mund të përdorë asnjë justifikim për të pasur vetëm një apo dy fëmijë”, thuhet në deklaratë.
Kina po përballet me një krizë demografike me një popullsi në plakje dhe rënie të lindjeve. Më shumë se 18 përqind e popullsisë është e moshës mbi 60 vjeç, sipas regjistrimit të vitit 2020, raporton Guardian.
Shifrat e lëshuara nga Byroja Kombëtare e Statistikave të vendit në nëntor treguan se kishte 8,5 lindje për 1000 njerëz në vitin 2020, hera e parë në dekada që shifra ka rënë nën 10. Në vitin 1978, shifra ishte më shumë se 18 për 1000 banorë.
Politika e një fëmije u përfundua zyrtarisht në vitin 2016 dhe u zëvendësua nga dy fëmijë për shumicën e çifteve kineze, deri në këtë vit kur u rrit përsëri në tre. Megjithatë të rinjtë kinezë vazhdojnë të thonë se kostoja e lartë e jetesës dhe presioni i orëve të gjata të punës janë pengesa për të pasur fëmijë.