Lëvizja Vetëvendosje, e cila po mban në këto momente mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, po diskuton edhe për koalicionet që kjo parti i ka arritur në zgjedhjet e fundit lokale me partitë tjera nëpër komunat e Kosovës.
Theks të veçantë i është dhënë Komunës së Prishtinës, ku kjo parti ka arritur koalicion me AKR-në para raundit të dytë zgjedhor, ndërsa me AAK-në pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të KQZ-së.
KTV merr vesh se në mbledhje është kritikuar kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, veçanërisht për koalicionin që e lidhi para pak ditësh me AAK-në.
Kjo për faktin se ai nuk është konsultuar paraprakisht me Këshillin e Përgjithshëm të partisë dhe është thënë se ky veprim nuk është në përputhje me statutin e Lëvizjes.
Ahmeti fillimisht ka refuzuar të arsyetojë këtë koalicion para Këshillit, mirëpo tani ai është duke folur pikërisht për këtë.
Ish-drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, ka kundërshtuar idenë që me drejtorinë e Arsimit të udhëheq AAK-ja.
Kundër është shprehur edhe deputetja Albulena Haxhiu. E sipas Ahmetit, kjo drejtori ka qenë kushti i AAK-së për të arritur marrëveshjen.
Kundërshtime ka pasur edhe për drejtorinë e Inspeksionit. Hysen Durmishi ka thënë se nëse AAK udhëheq me këtë drejtori, “atëherë ndërtimet pa leje do të vazhdojnë si në kohën kur nuk ka qeverisur Vetëvendosja”.