Partia në pushtet në Gjermani, SPD-ja, pret që projektligji për vaksinimin e detyrueshëm për Covid-9 të votohet nga deputetët në mars, tha udhëheqësi i kësaj partie në organin legjislativ.
Kuvendi i Gjermanisë në dhjetor e miratoi ligjin që e bëri të detyrueshëm vaksinimin për profesione të caktuara nga marsi e tutje, shkruan Reuters.
Vendi tani po përballet me valën e katërt të infeksioneve dhe shkalla e vaksinimit mbetet relativisht e ulët në krahasim me disa pjesë tjera të Evropës.
SPD-ja planifikon që të ketë të gatshëm një propozim të zgjeruar për vaksinim të detyrueshëm pas një debati parlamentar në fund të janarit, tha Rolf Muetzenich, anëtar i kësaj partie.
Kancelari Olaf Scholz e përkrah vaksinimin e detyrueshëm në përgjithësi dhe ka thënë se shpreson se do ta fusë në zbatim nga fundi i shkurtit, i kishin thënë agjencisë Reuters vitin e kaluar burimet e afërta me këtë çështje.
Sidoqoftë, Muetzenich tha se dhoma e ulët do ta votojë projektligjin në mars. “Kam shumë besim se shumica e grupit parlamentar të SPD-së do të votojë për”, tha ai.
Të martën, konservatorët e opozitës thanë se janë të hapur për ta diskutuar vaksinimin e detyrueshëm të përgjithshëm, duke shtuar se debati parlamentar duhet të zhvillohet i pavarur nga ndikimi i variantit Omicron.