Kërkesa e Listës Serbe që ta marrë postin e kryetarit të Kuvendit me kusht që ta përkrahë formimin e Qeverisë së re nuk po përkrahet nga drejtuesit e partive kryesore politike në vend si dhe nga analistët.
Kjo çështje, siç thonë ata, është e rregulluar me Kushtetutë, e jo me kërkesa të grupeve të caktuara politike.
“Kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutë, e jo me kërkesa specifike të asnjë grupi”, ka thënë për “Zërin” Muharrem Nitaj, zëdhënës i AAK-së.
Përndryshe, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Kuvendit i takon partisë apo koalicionit që ka marrë më së shumti vota në zgjedhje, në këtë rast koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN).
Edhe zëdhënësi i lëvizjes “Vetëvendosje”, Shkodran Hoti, ka thënë për “Zërin” se shumica shqiptare nuk duhet t’u nënshtrohet kushtëzimeve të Listës Serbe.