Subjektet politike në Kosovë kanë nënshkruar deklaratën për rritje të transparencës dhe llogaridhënies gjatë fushatës zgjedhore, ku janë zotuar se do t’i bëjnë publike raportet e tyre financiare me kohë ashtu siç parashihet me Ligjin mbi Financimin e Partive Politike, raporton Ekonomia Online.
Transparenca financiare e subjekteve politike ka qenë temë diskutimi një kohë të gjatë në Kosovë, duke ngritur dilema sa i përket mënyrës së raportimit të subjekteve politike. Kjo iniciativë është ndërmarr nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D).
Drejtori i ekzekutiv i D4D, Shpend Emini, tha se Ligji për Financimin e Subjekteve Politike, përcakton qartazi afatet ligjore në të cilat duhet të raportojnë subjektet politike, duke përfshirë raportin financiar të fushatës dhe raportin vjetor financiar.
“Deklarata që nënshkruhet sot është një hap i mbarë për hapjen e partive politike për financimin e tyre dhe kjo hapje do t’u ndihmonte partive politike që të fitonin një besim më të madh të qytetarëve karshi tyre”, tha ai.
“Mungesa e auditimit është e dëmshme, ky problem është adresuar dhe nga Komisioni Evropian në Raportin e Progresit. Zbardhja e fondeve të financimit të partive do të ishte hap i madh drejtë transparencës. Deklarata që nënshkruhet sot shpreh vullnetin e partive politike për transparencën financiare”, tha ai.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka përshëndetur këtë iniciativë për rritjen e transparencës së partive politike.
“Fatkeqësisht ne nuk kemi ndonjë kompetencë për auditim të subjekteve politike dhe në kuadër të kompetencës tonë është shpenzimi për një votues nga secila parti të jetë 50 cent, dhe ne e kemi përcaktuar kohëzgjatjen e fushatës. Transparenca është një prej themeleve të demokracisë dhe shpresoj që partitë politike vet do t’i bëjnë publike këto raporte financiare, që ne pastaj i tubojmë dhe i dërgojmë në Kuvend. Pres nga ta që t’i bëjnë publike të gjitha paratë ku janë marr nga kush dhe si i kanë shpenzuar”, tha Daka.
Ndërsa, Luigi Brusa nga zyra e BE në Kosovë tha se kjo deklaratë do të rrisë transparencën financiare gjatë procesit të zgjedhjeve.
“Uroj organizatorët që na kanë bërë të gjithë bashkë në këtë nismë dhe për neve kjo është shumë me rëndësi. llogaridhënia publike dhe transparenca është shumë e rëndësishme në proceset demokratike. Zgjedhjet e drejta dhe të lira janë synim i secilës demokraci për t’u siguruar që qeveria rrjedh nga vullneti i popullit. Zgjedhjet po mbahen në një kohë kritike për Kosovën. Pjesëmarrja e monitoruesve nga BE-ja tregon se sa është ky proces i rëndësishëm për të”, tha ai.
Kollçaku: KQZ privoi diasporën në zgjedhje
Fatmire Kollçaku përfaqësuese nga LVV tha se nuk mund të zhvillohet asnjë debat pa e përmendur padrejtësinë që u është bërë qytetarët që jetojnë jashtë shtetit, të cilët sipas saj, që po privohen për shkak të KQZ-së që nuk e përmbushi zotimin.
“Pjesë e fajit është Ministria e Diasporës që kanë dështuar dhe që e shoh si padrejtësi, po vazhdon t’i bëhet bashkatdhetarëve për mos ofrimin e të drejtës së tyre për votë”, ka thënë ajo.