Komisioni për mbikëqyrjen e financave publike në Kuvendin e Kosovës ka iniciuar procedurën e auditimit të financave të partive politike.
Përmes një shkrese i është drejtuar Administratës së Kuvendit që të fillojë procedurën për përzgjedhjen e auditorëve.
Sipas ligjit, rreth dhjetë auditorë të licencuar mund ta kryejnë këtë punë.
Kryetari i këtij Komisioni, Faton Topalli, tha se deri tani nuk ka pasur vullnet të partive politike për t’iu nënshtruar këtij procesi.
Ai ka shtuar se askush nuk i ka ndalur partitë që të publikojnë pasqyrat financiare.
Bali Muharremaj nga AAK-ja tha se me ligjin aktual nuk mund të bëhet auditimi i partive politike, pasi nuk ka kompani që do të guxonte ta bënte këtë gjë.
Shumica e deputetëve pjesëmarrës kanë thënë se auditimi i partive duhet të bëhet nga Zyra Kombëtare e Auditimit, ose Komisioni Qendror Zgjedhor.