Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen gjatë vjeshtës së këtij viti. Gjatë një takimi konsultativ që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi zhvilloi me përfaqësuesit e subjekteve politike, kryesisht u propozua data 22 tetor për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, raporton Ekonomia Online.
Të gjithë përfaqësuesit e partive politike kanë propozuar që 22 tetori të jetë data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, brenda afatit kushtetues.
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, tha se nga zgjedhjet e 11 qershorit kanë me një shije të mirë si një model, traditë për të gjithë rajonin.
“E gjithë kjo na bënë të mendojmë për afatet për të cilat nuk na lejon me i mbajt dimrit”, tha Ismaili.
Ndërsa Ismail Kurteshi tha se Lëvizja Vetëvendosje si subjekti më i madh politik propozon që 22 tetori të jetë datë e zgjedhjeve. Ai tha se ka një sugjerim për përfaqësuesen e KQZ-së që në zgjedhjet e ardhshme t’i mësojë qytetarët, pasi që një numër u madh nuk kanë ditur të votojnë.
Agim Bahtiri nga AKR-ja tha se edhe ata propozojnë që zgjedhjet të mbahen më 22 tetor për shumë arsye.
“Mendoj se shumë komuna do të shkojnë në balotazh dhe të mbahen me 22 tetor”, tha ai.
Ismet Beqiri nga LDK-ja tha se janë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 22 tetor dhe se brenda saj mos të manovrohet.
Ndërsa Pal Lekaj nga AAK tha se si subjekt politik mendojnë se zgjedhjet të mbahen brenda afatit kushtetues dhe se data të jetë sa më e hershme.
Valdete Bajrami nga Nisma tha se data optimale do të ishte 22 tetori eventualisht 29 tetori, “pra mos t’i kalojmë afatet të cilat janë të parapara me Kushtetutë”.
Nis takimi i presidentit me partitë politike
Presidenti Hashim Thaçi në këtë takim ka thënë se duke marrë parasysh se zgjedhjet e fundit lokale janë mbajtur më 3 nëntor janë brenda afateve ligjore për të përcaktuar datën e zgjedhjeve.
Ai ka thënë se në ditët në vijim do të shpall datën e zgjedhjeve duke marrë parasysh atë që diskutohet sot.
“Me përgjegjësi të plotë ligjore dhe kushtetuese do të shpall zgjedhjet dhe në ditët e ardhshme do të bëjë publike datën. Data do të jetë brenda afateve kushtetuese dhe do te jetë sa më e hershme”, ka thënë ai.
Daka: KQZ e gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve lokale
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se janë të gatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
“KQZ sa i përket datës natyrisht se ne kurdo që ato shpallen do t’i organizojmë por kërkojmë nga subjektet politike se jemi duke shkuar në dimër dhe të mundohemi të kemi datë më herët. Ne si KQZ jemi të gatshëm t’i organizojmë dhe të vazhdojmë njëjtë si i kemi organizuar deri tani”, ka thënë ajo.