Klubi i “Partizanit” ka zyrtarizuar mbrëmjen e sotme, afrimin e fundit në merkato, mbrojtësin me origjinë nga Kosova, por i lindur në Finlandë, Lum Rexhepi.
Rexhepi firmosi një kontratë deri në fundin e këtij sezoni, me të drejtë rinovimi edhe për një tjetër vit me “Partizanin”, raporton ATSH.
26-vjeçari, mbrojtës qendre në pozicionin natyral, kishte arritur akordin me “demat”, por vetëm sot është prezantuar zyrtarisht. Kosovari ka lindur në Turku të Finlandës dhe pasi është aktivizuar me ekipet e moshave të përfaqësueses finlandeze, së fundmi i është bashkuar Kombëtares së Kosovës, duke luajtur vetëm dy ndeshje deri më tani. Në vitin 2018 ka qenë pjesë e klubit “Kups” në elitën finlandeze.
Rexhepi është futbollisti i tretë që iu bashkohet “të kuqve” në merkaton e janarit dhe konsiderohet një alternativë e mirë për mbrojtjen, duke qenë se qendra e këtij reparti ka mbetur vetëm me dy titullarët Belica dhe Atanda. Ndërkohë, që ditën e djeshme, ai i është bashkuar skuadrës në Turqi.