Seanca maratonë e Kuvendit të Shqipërisë, që zgjati pothuaj një ditë, përfundoi këtë mëngjes me miratimin e programit të qeverisë “Rama 2”.
Programi u miratua me 78 vota pro dhe 51 kundër. Kryeministri Edi Rama e prezantoi programin e tij në seancën e së hënës, ku paraqiti synimet kryesore të qeverisë për ekonominë, turizmin, integrimin e vendit.
Reforma në drejtësi dhe vetting-u mbeten për qeverinë shtyllat kryesore në këtë mandat të ri. Ndërsa kapitulli i ekonomisë është më i gjati, duke nisur nga projektet e infrastrukturës, luftë kundër korrupsionit dhe informalitetit. Dje dhe sot deri në orët e para të mëngjesit ka qenë radha e deputetëve për ta diskutuar.
Lideri i opozitës Lulzim Basha e kritikoi qeverinë “Rama 2” dhe deklaroi fundin e marrëveshjes së 18 majit për shkak të zgjedhjes së Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit dhe manipulimit të votave të PD-së sipas tij.
E ashpër ka qenë dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ndaj programit të qeverisë. E veçantë në fjalën e saj ishte edhe një kritikë ndaj Presidentit të Republikës për bashkëpunim të nxituar me mazhorancën për dekretet.