Pas 5 milionë rasteve me Coronavirus, eksperti amerikan kërkon të mos llogaritet në vaksinë

Prishtinë | 22 Maj 2020 | 09:41 | Nga Ekonomia Online

Një ekspert i lartë amerikan ka bërë të ditur të enjten se njerëzit nuk duhet të llogarisin se vaksina kundër COVID-19 do të zhvillohet së shpejti, teksa bilanci global i të infektuarve me koronavirusin e ri ka kaluar 5-milionëshin pas shtimit të rasteve në Amerikën Latine, përfshirë Brazilin që raportoi shifër rekorde prej 20.000 infektimesh të reja.

William Haseltine, studiues i lartë i sëmundjeve të kancerit, HIV/AIDS-it dhe i projeksioneve të gjenomit njerëzor, ka thënë se qasja më e mirë karshi pandemisë është që sëmundja të menaxhohet përmes gjurmimit të kujdesshëm të infeksioneve dhe masave strikte të izolimit kurdo që përhapja nis. Ai ka thënë se derisa vaksina mund të zhvillohet, “unë nuk llogaris në të”. Andaj ka nxitur njerëzit që të bartin maska, t’i lajnë duart, t’i pastrojnë hapësirat dhe ta mbajnë distancën.

“Mos i dëgjoni politikanët, të cilët thonë se do ta kenë vaksinën gjatë periudhës kur afrohet mundësia e rizgjedhjes”, ka thënë ai. “Mbase do ta kemi (ama) unë po them vetëm se ky është një rast i ndërlikuar në çfarëdo forme… ngase secilën herë që njerëzit janë përpjekur që ta bëjnë një vaksinë – për SARS-in apo MERS-in – ajo faktikisht nuk është se ka mbrojtur”.

Vaksinat e zhvilluara më herët për llojet e tjera të koronaviruseve kanë dështuar t’i mbrojnë membranat e mukozës së hundës, prej ku virusi hyn fillimisht në trup, ka thënë ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera nuk kanë bërë sa duhet për “t’i izoluar forcërisht” njerëzit e ekspozuar ndaj virusit, ka thënë Haseltine, por i lavdëroi përpjekjet e Kinës, Koresë Jugore dhe Tajvanit për t’i frenuar infeksionet.

Haseltine ka thënë se SHBA-ja, Rusia dhe Brazili – të cilat janë tri vendet me numrin më të madh të infeksioneve – janë treguar më joefikaset në betejën ndaj pandemisë.

Brazili me rekord të të infektuarve

Derisa bilanci i përgjithshëm i të infektuarve globalisht ka kaluar shifrën prej 5 milionë, Brazili ka evidentuar të enjten numër rekord të rasteve të reja – 19.951 sosh – sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë. Me këto raste, totali mbarëvendor arrin në 291.579. Dhe nëse ky trend vazhdon, vendi latinoamerikan shumë shpejt mund ta tejkalojë Rusinë, e cila ka 308.705 të infektuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme