Pas protestës së ditës së djeshme në rrugën e Kombit, ku protestuesit i vunë flakën kabinës ku bëhet pagesa për këtë rrugë, qindra forca policie kanë kryer operacione gjatë natës në Kukës, ku kanë arrestuar dhjetëra banorë.
Familjarët kanë rrethuar Komisariatin e Kukësit, duke shpjeguar se policia ka shkuar në mesnatë dhe duke terrorizuar ata, ka arrestuar familjarët e tyre.
“Kanë arrestuar vëllain pa qenë në protestë fare. Punojmë të dy në një kompani private. Arrestimi është bërë në orën 3 të mëngjesit. Nuk kanë përdorur asnjë rregull. Ishte arrestim i habitshëm.”, është shprehur njëri prej banorëve.
Ndërsa një tjetër, ka thënë se policia ka shkuar me maska dhe kanë arrestuar vëllain e tij, duke shtuar se ende nuk di se ku ia kanë çuar vëllain, raporton Insajderi.
“E kanë marrë me forcë vëllain në 4 të mëngjesit. Mënyra se si e kanë marrë është e habitshme. Kanë ardhur me maska duke i rënë derës me qyta pistolete. Vijmë këtu tek policia dhe thonë se nuk dinë gjë. Më ka humbur vëllai!”, ka theksuar ai.
Një tjetër kuksian është shprehur se i kanë arrestuar dhëndrin në 4 të mëngjesit, duke shtuar se ai ka një fëmijë të sëmurë.
“Më kanë arrestuar dhëndrin në orën 4 të mëngjesit. Kanë ardhur 20 policë se ka qenë në protestë. Policët ishin me maska. Dhëndri ka një fëmijë të sëmurë me goditje cerebrale.”, tha ai.
Por, paralajmërimi më i fortë vjen nga një tjetër banor i Kukësit, i cili thotë se i kanë arrestuar vëllain e sëmurë, duke kërcënuar se nëse nuk e lirojnë do të djegin Komisariatin.
“Më kanë arrestuar vëllain që dje ka qenë në protestë. Nuk ka shkuar për çështje politike. Është dëmtuar nga sytë. Mbrëmë ka qenë i sëmurë. E ka arrestuar policia në orën 4 të mëngjesit. Ka qenë i sëmurë nga gazi lotsjellës. Kanë kaluar mbi avëlli dhe i kanë shkuar vëllait brenda. E kanë rrahur.
Të lirohen një orë e më para. Në qoftë se nuk lirohen, u bëj thirrje të gjithë kuksianëve që të vijnë këtu dhe nëse nuk dalin një për një do të djegim komisariatin. E ta shohë Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj, kush janë ata kriminelë.”, -shprehet ai.
Prej mesnate forca të shumta policie kanë nisur aksione për të arrestuar banorë të Kukësit, të cilët morën pjesë në protestën e ditës së djeshme.