Pas arrestimit spektakolar, policia kërkon paraburgim për Molliqajn e Megjuanin

Prishtinë | 02 Shk 2022 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Mbrëmë në mënyrë spektakolare është arrestuar kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj pak qaste para se të futej në studiot e Televizionit 7 ku ishte ftuar në debat.

Policia kishte rrethuar lokacionin e studiove të emisionit në të cilin ishte i ftuar Molliqaj me forca të shtuara të Njësive Speciale, ndërsa kreu i PSD-së u arrestua në të njëjtin vend.

Molliqaj ka rezistuar fillimisht duke kërkuar ftesën nga policia e Kosovës, por këta të fundit e arrestuan atë.

E lidhur me zhvillimet në kuadër të arrestimit të tij, lajmi.net ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Në një përgjigje të dhënë nga Prokuroria është bërë e ditur se tashmë është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të ndaluarve, Dardan Molliqaj dhe Adem Megjuani. “Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) të ndaluarve, në drejtim të veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, u tha në përgjigjen e prokurorisë.

Duhet përkujtuar që Molliqaj dhe Megjuani prej disa ditësh ishin në kërkim nga Policia e Kosovës.

Të njëjtit po kërkoheshin për shkak të dyshimin për kryerjen e veprës “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Të shtunën e kaluar kur edhe u zhvillua protesta në të cilën po kundërshtohej propozimi i ZRRE-së për rritjen e çmimit të faturave të energjisë elektrike, ishin pikërisht pamjet e publikuara në media dhe rrjetet sociale ku treguan momentet ku Megjuani goditi në kokë njërin prej zyrtarëve policorë.

Duke mos përfunduar me kaq në një video tjetër shihej moment kur Molliqaj goditi me shuplakë policin i cili po qëndronte në hyrje të objektit të Qeverisë së Kosovës./

Të ngjashme