Pas debutimit historik në Lojërat Olimpike, Nigeria kërkon talente në bobsled

Prishtinë | 10 Nën 2019 | 17:04 | Nga Ekonomia Online

Në një mëngjes të ngrohtë shtatori në Lagos, përderisa më shumë se 30 sportistë nigerianë përgatiteshin të merrnin pjesë në provat shtetërore të skeletonit, Seun Adigun ishte aty për t’i inkurajuar ata.

“Thjesht, bëhuni sportistë”, u tha ajo duke i siguruar se mund të bëjnë karrierë.

Adigun, e lindur në Chicago nga prindërit nigerianë, është afrikania e parë që ka garuar në Lojërat Olimpike Dimërore dhe Verore.

Ajo përfaqësoi Nigerinë në të dyja rastet, në vitin 2012 në Londër në vrapimin me pengesa në 100 metra dhe në vitin 2018 në PyeongChang, si pjesë e ekipit të femrave në bobsled.

“Së pari vjen zemra, pastaj pasioni, përkushtimi dhe atletizmi”, tha Adigun 32-vjeçare. “Atletizmi do të vijë, pasi mund të stërvitet. Por ju nuk mund ta stërvitni dikë që të ketë pasion, ju nuk mund t’i stërvitni ata të jenë të përkushtuar, ju nuk mund t’i stërvitni ata të kenë zemër dhe nuk mund t’i stërvitni ata të lëvizin me integritet ose angazhim, dhe këto janë gjërat që ne po kërkojmë tash për tash”, shkruan “Al Jazeera”, transmeton “Koha Ditore”.

Futbollistët, sprinterët dhe basketbollistët, të gjithë erdhën për të provuar sportet dimërore në Stadiumin Kombëtar të Lagos, qendra tregtare e Nigerisë.

Qëllimi i kësaj ngjarjeje për zbulimin e talenteve, që u quajt “Pusher Fastest”, ishte të rekrutojë më shumë sportistë për lojërat olimpike dimërore “Pekini 2022”dhe në anën tjetër, të popullarizonte sportet dimërore në Nigeri.

Pas disa muajsh, sportistët më të suksesshëm mund të jenë duke u stërvitur në klima mjaft të panjohura. Pjesëmarrësja Nafeesat Aliu, një vrapuese e garave me pengesa, pranoi se nuk kishte përvojë në bobsled ose skeleton, por tha se ajo ishte frymëzuar shumë nga fjalimet e Adigunit.

Në fund, Aliu doli si më e shpejta në këto prova dhe u largua nga stadiumi më shumë dhurata nga sponsorët, dhe një rast për të bërë karrierë në një sport krejtësisht të panjohur.

“Unë e kam këtë mentalitet që nëse stërvitem, ndoshta brenda muajsh do të bëhem më mirë dhe më pas të jem në podiumin e medaljeve”, tha Nafeesat. “Adigun pati guximin të fillojë të marrë pjesë në bobsled dhe është një fitore e madhe për të, çdo vajzë do të dëshironte të ishte si ajo”.

Të ngjashme