Pas dënimit për mashtrim, ORCA kërkon përjashtimin e Enver Hasanit si profesor

Prishtinë | 03 Nën 2017 | 15:16 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka dorëzuar një ankesë për Enver Hasanin në Këshillin të Etikës të Universitetit të Prishtinës (UP).

Kjo organizatë kërkon që Hasani të përjashtohet nga angazhimi i mëtutjeshëm si profesor në UP, pasi ka bërë shkelje të mëdha etike dhe i ka shkaktuar dëm reputacionit të Universitetit të Prishtinës.

Rron Gjinovci, drejtor i ORCA-s, ka thënë se Kodi Etik e sheh të papranueshme thyerjen etike të Hasanit.

“Sipas Kodit Etik, neni 16, paragrafi dy, kryerja e veprës penale e cila ka çuar me dënim nga gjykatë, qartë e demonstron papërshtatshmërinë për të vazhduar si një anëtar i stafit akademik. ORCA ka kërkuar nga Këshilli i Etikës që të nxjerrë vendim i cili vërtetohet që Enver Hasai ka kryer shkelje të rënda të Kodit Etik dhe shkelje të rënda sipas Rregullores për Masat dhe Procedurat Disiplinore ndaj personelit akademik të Universiteti të Prishtinës”, ka thënë Gjinovci.

Avokatja e kësaj organizate, Rina Kika, ka thënë se dënimi që i ka shqiptuar gjykata Hasanit është i merituar pasi sipas saj reputacioni i UP-së është dëmtuar.

Ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë “për mashtrim në detyrë”. Ai u dënua me 1 vjet burgim me kusht, ndërsa dy zyrtarë të tjerët me nga 6 muaj burgim. Gjykata gjithashtu vendosi që të obligojë kompaninë ISN që të ia kthej UP -së dëmin e shkaktuar prej mbi 70 mijë eurosh.

U vendos gjithashtu për anulimin e kontratës me këtë kompani për përkthimin e librave. Hasani dhe dy të tjerët akuzoheshin se kanë kryer veprën ”mashtrim në detyrë në bashkëkryerje” në lidhje me kontratën për përkthimin e librave nga anglishtja në shqip për Universitetin e Prishtinës.

Ish-rektori dhe ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, aktualisht është i angazhuar si profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të UP.

Të ngjashme