Anëtarët të komisionit për Legjislacion kanë diskutuar për dorëheqjen e kryetareve të komunave serbe në veri të vendit. Ata kanë kërkuar që për këtë çështje të njoftohen zyrtarisht derisa nuk e kanë thënë se dorëheqjet nuk kanë të bëjnë me vendosjen e taksës prej 100% ndaj Serbisë.
Hajdar Beqaj, nga PDK-ja tha se duhet pritur informacione nga zyrtarët e jo të bazohen në portale, raporton Ekonomia Online.
“Për pjesën e veriut duhet të diskutojmë me ministrin. Nuk duhet të diskutojmë pa pas informata zyrtare dhe të bazohemi vetëm në portale”.
Arben Gashi, nga LDK-ja tha se Qeveria është dashur të ketë plan nëse ndodhin dorëheqjet e kryetarëve të komunave të veriut.
“Ne po trajtojmë një temë që s’kemi bazë ende. Kemi procese të pjesshme. Qeveria e Kosovës është dashtë me pas me planifikuar këtë situatë, sepse kur ka një veprim ka edhe kundërveprim. Nëse Qeveria nuk e ka planifikuar atëherë i bie që kemi një aventurë”.
Deputeti Bilall Sherifi, nga Nisma Socialdemokrate tha se dorëheqja e kryetareve të komunave të veriut ka ardhur pas masës 100%.
“Situata është ashpërsua pas historisë se Interpolit dhe masat të cilat janë marrë. Të gjithë e dimë qe janë veprime politike të ruajtjes së dinjitetit. Kosova nuk ka goditë mirëpo ka kundërgoditë, është mbrojte nga veprimet që i ka bë Serbia kundër sovranitetit të Kosovës. Ajo që të gjithë e kanë parë është se është bërë në vetëmbrojte”.
Frashër Krasniqi, nga PSD-ja tha se në këtë fazë që duket e jashtëzakonshme spektri politik duhet bërë bashkë.
“Gjendja e krijuar në veri është në histori por është koha që në këtë situatë që duket e jashtëzakonshme, skema politike në Kosovë duhet të reagojë si skemë e bashkuar. Është emergjentë që skena politike në Kosovë duhet të bëhet bashkë. PSD bënë thirrje që pozita dhe opozita të diskutojnë dhe ta arrijnë një konsensus sa i përket këtyre çështjeve”.
Sot kanë dhënë dorëheqje të katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.
Dorëheqjet vijnë pas rritjes së taksës nga 10 në 100 përqind për produktet me origjinë nga Serbia si dhe arrestimeve të fundit në veri.
Komisioni ka aprovuar Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve të 90-ta.
Ndërkaq është shtyrë për mbledhjen tjetër projektligjin me amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, për shkak të mungesës së disa dokumenteve.
Komisioni ka miratuar edhe amendamentet nga Pakoja e ligjeve për FSK-në.
LEXONI EDHE:
https://ekonomiaonline.com/politike/haradinaj-skomenton-doreheqjet-e-kryetareve-te-komunave-veriore/