Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”sot është mbajtur tryeza e radhës me komunat e rajonit të Gjilanit dhe Ferizajt me qëllim të diskutimit të të arriturave të komunave në fushatën e pastrimit nga data 15 shtator e deri më tani.
Në tryezën e sotme u ngrit si shqetësim sfida e mirëmbajtjes së hapësirave të pastruara gjatë fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, vështirësitë në zbatimin e Udhëzimit Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore, rëndësia e bashkëpunimit mes aktorëve mjedisorë përkatës të të gjitha niveleve për ta bërë këtë udhëzim me praktik, trajtimi i mbetjeve inerte, medicinale, shtazore, vajrave, etj.
Për ta përmirësuar këtë gjendje, “Let’s Do It” kërkoi nga komunat që në vazhdimësi t’i drejtojnë problemet dhe kërkesat e tyre dhe kjo organizatë do t’i adresojë këto tek autoritetet përgjegjëse.
Pastaj në bashkëpunim me aktorët institucionalë të nivelit qendror do të punohet që brenda një afati sa më të shkurtër tu jepet zgjidhje secilit problem në fushën e mjedisit.
Luan Hasanaj, drejtues i organizatës “Let’s Do it Kosova” tha se asnjëherë më parë nuk ka pasur më shumë vullnet politik për mbështetje të fushatës për pastrim e ruajtje të mjedisit.
“Sot ne diskutojmë çka ka mbetur pa u realizuar, cilat janë ato që është dashtë institucionet t’i realizojnë, po flas për nivelin qendror, por pse jo edhe për atë lokal. Asnjëherë më parë nuk ka pasur vullnet më të madh politik se tani për ta mbështetur fushatën për pastrimin dhe ruajtjen e mjedisit dhe se e njëjta duhet të vazhdojë edhe pas datës 15 shtator, duke punuar të gjithë së bashku për mirëmbajtjen e hapësirave të pastruara dhe duke investuar në zhvillim të qëndrueshëm mjedisor”, tha Hasanaj, raporton Ekonomia Online.
Në tryezën e sotme në Gjilan morën pjesë zyrtarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri si dhe kryesues të task forcave të komunave të rajonit të Gjilanit, Kamenicës, Artanës, Vitisë, Ferizajt, Shtimes, Kaqanikut, Hanit të Elezit, Shtërpcës.
Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se mjedisi në Kosovë duhet të trajtohet si problem sistemor, madje ai tha se Kosova mbetet një ndër vendet më të ndotura.
“Ne mjedisin e trajtojmë si problem sistemor, sepse sado që ndërtojmë infrastrukturë rrugore, edhe në komunitet, nëse nuk e largojmë bërllokun, ambienti mbetet i ndotur dhe Kosova mbetet si njëri nga vendet ku çdo komunë ka deponi ilegale të cilat nuk trajtohen dhe mbesin si problem kryesor”, tha Haziri, raporton EO..
Haziri gjithashtu shtoi se tanimë në rajonin e Gjilanit është caktuar edhe deponia për mbetje inerte, por problem po del të jetë gjetja e operatorit.
“Ne, së bashku me ‘Let’s Do It Kosova’ kemi largu qindra tonelata bërllok, por prapë vitin tjetër vazhdon me na përcjell problemi i njëjtë”.
“Kemi punuar këta muaj shumë dhe do vazhdojmë të punojmë, kemi caktuar deponinë për mbetje inerte tash. Problem do të jetë menaxhimi dhe duhet ta gjemë operatorin dhe t’i japim kontratë atij” .