Pas fyerjeve, kërcënimeve dhe mbetjes pa punë të nënës së tij, Iviqi thotë se i intereson vetëm futbolli

Prishtinë | 22 Shk 2020 | 17:45 | Nga Ekonomia Online

Futbollisti i ri, Ilija Iviq nuk ka mundur të mendojë që familja e tij, por edhe vet ai, do të futen në telashe të mëdha, pasi u bë publik lajmi se ai ka pranuar ftesë që të luajë për Kosovën. Iviqi që është nga Kishnica, luan për të rinjtë e Flamurtarit të Prishtinës.

Vetëm një ditë pasi u publikua lajmi se ai mund të luajë për Kosovën, nëna e tij u largua nga puna në Qendrën e Edukimit Kulturor, që në Kosovë funksionon në sistemin e Serbisë, ka raportuar të shtunën Zëri i Amerikës në gjuhën serbe.

Presioni te futbollisti i ri, që i takon komunitetit serb, është rritur pas teksteve me qasje negative të mediave të caktuara në Beograd.

“Shpërthen bomba – serbi i parë në reprezentacionin e Kosovës”, “Turp: Ky është serbi i parë që do të luajë për shtetin e rrejshëm të Kosovës”, “Shokuese: Serbi ka pranuar të luajë për reprezentacionin e Kosovës”, ishin disa prej titujve të mediave serbe, transmeton Koha.net.

Iviqi më pas është fyer, por edhe është kërcënuar nëpërmjet rrjeteve sociale. Kjo megjithatë nuk ishte e tëra. Nëna e tij, Tanja Iviq mori vendimin për largim nga puna. Arsyetimi – tepricë teknologjike. Ajo ka punuar në institucionin që e ka selinë në Graçanicë, por që funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë.

“Në bisedën jo zyrtare se pse kam mbetur pa punë, më kanë thënë se është pikërisht oferta për përfaqësuese. Mua aktualisht më rrezikohet ekzistenca në çdo aspekt, por nuk do të heqë dorë. Në interesin tim është që fëmija im të bëjë atë që dëshiron dhe atë që meriton me punën e deritashme. E kam pak vështirë të flasë për këtë, por asgjë nuk kemi gabuar. Vërtetë asgjë, pasi kur munden disa njerëz të punojnë në të gjitha institucionet kosovare, vlerësoj se asgjë nuk kemi gabuar. Duam të ofrojmë përkrahje maksimale. Ky është sport, jo politikë”, ka thënë për Zërin e Amerikës, Tanja Iviq.

Ndërkohë është bërë e ditur se babai i lojtarit të ri nuk e ka humbur vendin e punës, ndonëse kjo të premten ishte thënë në një komunikatë të Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Është e vërtetë që gruaja ime humbi punën. Unë jo, por ekziston mundësia që edhe mua të më ndodhë kjo. Unë si prind nuk kam të drejtë që fëmijës tim që është i talentuar për futboll, t’ia mohojë të ardhmen. Nuk na intereson politika, na intereson vetëm fëmija ynë të cilit i është ofruar mundësia që të përparojë në sport. Nuk e di kujt mund t’i pengojë kjo”, ka thënë Dushko Iviq për Zërin e Amerikës, përcjell Koha.net.

Vetë futbollisti i ri ka thënë se nuk merret me shkrimet e mediave dhe ofendimet e shumta. Thotë se futbolli është jeta e tij dhe se asgjë tjetër nuk i intereson.

“Mua momentalisht më intereson vetëm futbolli. Luaj këtu për tri vite dhe nuk kam kurrfarë problemesh. Nuk e di pse flitet për këtë”, ka thënë Iviqi të shtunën gjatë stërvitjes në Prishtinë.

Ilija Iviqit përkrahje i kanë ofruar nga skuadra e Flamurtarit, por edhe shokë të tij nga Graçanica.

Për rastin e futbollistit të ri kanë reaguar të gjitha institucionet e Kosovës.

Të ngjashme