Pas kritikave ndërkombëtare, Bosnja largon imigrantët nga Kampi i Vuçjakut

Prishtinë | 10 Dhj 2019 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet boshnjake e kanë filluar zhvendosjen e imigrantëve nga një kamp i improvizuar afër kufirit me Kroacinë, pas kritikave të ashpra ndërkombëtare për kushtet e rënda në të cilat jetonin qindra njerëz, kryesisht nga Lindja e Mesme.

Mbyllja e Kampit të Vuçjakut, në të cilin Kryqi i Kuq thotë se janë strehuar rreth 600 imigrantë, ishte paraparë për të hënën, por u shty për një ditë.

Raportohet se autobusët e mbushur me imigrantë filluan të largohen nga kampi famëkeq rreth orës 1 të mesditës. Ata do të dërgohen përkohësisht në një qendër strehimi në Usivak, afër Sarajevës, dhe në Salakovac, 250 kilometra larg kryeqytetit, në pjesën perëndimore të Bosnjës.

Grupet humanitare kishin paralajmëruar se Kampi i Vuçjakut ndodhet afër një fushe të minuar nga lufta e viteve 1992-1995 dhe se në të nuk ka ujë të pijshëm apo tualete. Kushtet në këtë kamp u rënduan edhe më shumë pas reshjeve të borës që filluan javën e kaluar.

Vendimi për mbylljen e këtij kampi erdhi pas vizitës së javës së kaluar të komisioneres së Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, Dunja Mijatoviq, e cila deklaroi se vdekja e njerëzve do të ishte e pashmangshme, nëse ky kamp nuk do të mbyllej menjëherë,  shkruan “Free Europe”, transmeton  Express.

Megjithatë, shumë imigrantë thanë se nuk dëshirojë të zhvendosen më larg kufirit me Kroacinë, pavarësisht kushteve të rënda të banimit në këtë kamp, sepse qëllimi i tyre është që të hyjnë në territorin e Bashkimit Evropian

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme