Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, do të takohet me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.
Ky takim do të mbahet pas mbledhjes së Këshillt të Sigurisë Kombëtare, raporton Tanjug përcjell Klankosova.tv.
Sot, është thirrur mbledhja e Këshillit Kombëtare të Sigurisë.
Aty pritet të diskutohet edhe refuzimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë më 3 prill në Kosovë.
Aleksandar Vuçiq tha të hënën se Prishtina dhe Podgorica do të marrin përgjigje nga Beogradi për ndalimin e votimit në zgjedhjet serbe të 3 prillit. Siç ka thënë ai, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Beogradi që ta njohë Kosovën e pavarur për të organizuar zgjedhje në territorin e Kosovës. I pari i Serbisë tha gjithashtu se përgjigja do të ishte me “pasoja të gjera”.
Kreu i shtetit serb tha gjithashtu se Serbia po përballet me një periudhë të vështirë. “Situata në botë do të jetë më e ndërlikuar dhe nuk kam dyshim se do të jetë më e vështirë, në vend që të mbyllet konflikti, mund të them se konfliktet do të jenë më të ashpra dhe më të mëdha, se histeria dhe çmenduria do të vazhdojnë në Evropë dhe në botë”, tha Vuçiq, duke vlerësuar se kjo paraqet një barrë të madhe për Serbinë.
Seanca e fundit e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë u mbajt në fund të muajit shkurt.