Këngëtari dhe producenti i njohur, Korab Shaqiri, është rikthyer pas një periudhe mungese në ekranet televizive, ku ka folur hapur për karrierën e tij muzikore dhe arsyet që e shtynë të tërhiqej për një kohë nga skena.
I ftuar në emisionin “Sol”, artisti ndau mendimet e tij për zhvillimet në industrinë muzikore ndër vite, duke theksuar se një nga arsyet kryesore të largimit të tij ishte ndryshimi i frymës që po dominonte tregun muzikor.
“Sepse, të them, dhe po bindem ditë për ditë, se ishte një kohë jo e mirë për muzikën e mirë. Ishte një kohë jo e mirë për muzikantët e mirë, ishte një kohë e vështirë për muzikantët e mirë, sepse ishte fryma e tillë”.
“Ishin disa zhanre që vetëm art nuk kishin dhe mendoj që është duke kaluar”, shtoi mes tjerash.
Shaqiri la të kuptohet se gjatë viteve të fundit muzika cilësore shpesh ka mbetur në hije përballë trendëve të reja, të cilat sipas tij nuk kanë pasur vlera të mirëfillta artistike.
Megjithatë, beson se situata po ndryshon gradualisht dhe se publiku po rikthehet sërish drejt muzikës me përmbajtje dhe cilësi.
I njohur për stilin e tij autentik dhe për kontributin e gjatë në muzikën shqiptare, Shaqiri vazhdon të jetë një nga emrat më të respektuar të skenës vendore.