Njohja e Republikës së Kosovës nga Singapori tashmë ka dhënë rezultatin e parë. Prej tash Republika e Kosovës nga fuqia ekonomike zhvillimore e Singaporit do të fillojë të përfitojë menjëherë në shumë fusha, veçmas nga Programi i Bashkëpunimit i Singaporit (SCP).
Ky program është themeluar në vitin 1992 për të shërbyer si platformë primare, përmes të cilit Singapori ofron asistencë teknike për vendet e tjera. Singapori do të ndajë përvojën dhe ekspertizën e tij, në mënyrë të veçantë, në zhvillimin e burimeve njerëzore dhe zhvillimin ekonomik me Kosovën, duke ofruar specializime për nëpunësit publikë të Kosovës.
Për fillimin e zbatimit të këtij programi në Kosovë, që nga janari i vitit të ardhshëm, janë dakorduar ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës Enver Hoxhaj dhe homologu i tij nga Singapori, Vivian Balakrishnan.
Nga ky program, Kosova çdo vit do të dërgojë nëpunësit civilë të saj për të marrë njohuri nga përvoja e Singaporit në zhvillimin ekonomik.
Deri më sot, SCP ka trajnuar mbi 100.000 zyrtarë qeveritarë nga 170 vende. Çdo vit, Singapori realizon rreth 300 kurse specializimi për rreth 7.000 zyrtarë qeveritarë nga e gjithë bota. Specializimet ofrohen në një gamë të fushave të tilla si, qeverisja publike dhe administrata, tregtia dhe zhvillimi ekonomik, mjedisi dhe planifikimit urban, aviacioni civil, transporti publik, arsimi, shëndetësia, si dhe teknologjia e informacionit dhe e komunikimit (TIK).
Singapori javën që shkoi u bë vendi i 113 që e njohu Republikën e Kosovës dhe me të cilin u vendosën marrëdhëniet diplomatike. Ministri Hoxhaj së shpejti pritet të realizojë një vizitë zyrtare në Singapor.