Pas publikimit të videoincizimit, arrestohet gjykatësja dhe djali i saj

Prishtinë | 13 Jan 2017 | 20:14 | Nga

Prokuroria e Shtetit është vënë në veprim pas publikimit të promos së emisionit “Drejtësia në Kosovë”, ku shihet se djali i gjykatëses në Deçan, Safete Tolaj, shihet duke marrë para në këmbim të zgjidhjes së një lënde në gjykatë.

Prokuroria ka njoftuar se ka ndaluar gjyqtaren mbikëqyrëse të Gjykatës Themelore të Pejës, dega në Deçan, si dhe ka arrestuar djalin e saj, Fisnik Tolaj.

“Prokuroria gjatë ditës së djeshme ka kuptuar për informacione të publikuara në platformën KALLXO.com për dyshime për ryshfet se familjarë të përgjegjëses së gjykatës në Deçan janë përfshirë në një kërkesë për ryshfet me qëllim të përshpejtimit të një lënde në gjykatë, një rast ky që tashmë ka qenë nën hetime nga ana e prokurorisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve dhe kontakteve të marra me dëshmitarët e mundshëm të këtij rasti, është bërë e mundur që gjatë ditës së sotme me urdhër të Prokurorisë Themelore të Pejës të arrestohet shtetasi F.T.”

“Gjatë ndërmarrjes së veprimeve hetimore të prokurorisë dhe policisë, e me dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, fillimisht është shoqëruar e më pas edhe është ndaluar edhe gjyqtarja mbikëqyrëse e Gjykatës Themelore të Pejës, dega në Deçan, S. T. dhe prokuroria në pajtim me dispozitat ligjore të KPP-së do të kërkojë nga gjykata kompetente zbatimin e masave adekuate ndaj të dyve për sigurimin e prezencës së të dyshuarve në procedurë penale”.

Prokuroria e Shtetit inkurajon qytetarët që në vazhdimësi të denoncojnë raste të korrupsionit e po ashtu shpreh gatishmërinë dhe vullnetin, që ashtu sikurse ka ndodhur disa herë deri më tani, që të bashkëpunojë me media dhe organizata të cilat kanë informacione për aktivitete kriminale në shoqërinë tonë duke siguruar zbatimin e barabartë të ligjit penal për të gjithë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme