Pas rasteve të para me Coronavirus në Shqipëri, Rama thërret mbledhje të jashtëzakonshme të Qeverisë

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 08:14 | Nga Ekonomia Online

Qeveria do të mblidhet mëngjesin e sotëm në një takim të jashtëzakonshëm për masat kundër Coronavirusit. Takimi i cili pritet të zhvillohet rreth orës 9:00, do të ketë në fokus masat e marra dhe raportimin e ministrave përgjegjës para kryeministrit.

Ndërkohë, në një njoftim përmes rrjetit “Facebook” në orët e mbrëmjes, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka informuar mbi një mbledhje të zhvilluar me ekspertë të shëndetësisë.

Mbledhja urgjente në Ministrinë e Shëndetësisë sipas Manastirliut , ka trajtuar masat e shtuara për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit, pas vendimit që hyri dje në fuqi në Itali për izolimin total të “zonave të kuqe”.

Apel për shtimin e masave ka bërë edhe kreu i shtetit. Pas gjendjes emergjente të krijuar në Itali nga përhapja e Coronavirusit dhe rritja e numrit të personave të infektuar në Greqi, Meta ka kërkuar prej autoriteteve marrjen e masave drastike për të aplikuar “Zonën e Kuqe”,  ashtu siç veproi Italia.

“Për shkak se gjendja në Itali por edhe përhapja në rritje në Greqi, dy vende me të cilat kemi shkëmbimet më intensive, imponon aplikimin e masave të “Zonës së Kuqe”, si ato të marra në Itali, aplikimin e të gjitha kufizimeve e veprimeve që ky regjim kërkon, si dhe marrjen e masave organizative energjike dhe të monitoruara 24 orë në 24”, theksoi presidenti, raporton Euronews.

COVID-19 mbërrin në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë lajmëroi në orët e para të mëngjesit të kësaj të hënë se COVID-19 ka mbërritur në Shqipëri, ku raportohet për dy të infektuar që kanë udhëtuar nga Firence në Tiranë. Sipas ministrisë gjendja e babait dhe djalit të prekur nga Tirana, të dy në moshë madhore, paraqitet e qëndrueshme dhe pa komplikacione.

“Strukturat tona të urgjencës kombëtare dhe ISHP janë duke ndjekur protokollin klinik dhe epidemiologjik për të dy rastet,” thuhet në lajmërimin e MSHMS-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme