Vazhdon zbatimi i moduleve të Patrollës për Imunizim në shkollat e Kosovës

Prishtinë | 03 Nën 2026 | 11:53 | Nga Ekonomia Online

Në shkollën “Hasan Prishtina” në Prishtinë ka filluar sot zbatimi i moduleve të Patrollës për Imunizim përmes platformës digjitale arsimore. Ky aktivitet do të zhvillohet gjatë gjithë javës, me pjesëmarrjen e nxënësve në aktivitete të ndryshme edukative dhe interaktive, raporton Ekonomia Online.

Përmes lojërave digjitale dhe përmbajtjeve edukative, nxënësit do të kenë mundësi të njihen më nga afër me sëmundjet ngjitëse, mënyrën e përhapjes së tyre, funksionimin e sistemit imunitar, si dhe rëndësinë e vaksinimit në parandalimin e sëmundjeve dhe mbrojtjen e shëndetit.

Një ndër objektivat kryesore të këtyre moduleve është edhe zhvillimi i aftësive të nxënësve për vlerësimin kritik të informatave shëndetësore, duke i ndihmuar ata të dallojnë informacionet e sakta dhe të besueshme nga ato të pasakta.

Përmes kësaj qasjeje bashkëkohore dhe interaktive, synohet që edukimi shëndetësor të jetë më tërheqës dhe më i qasshëm për fëmijët, duke nxitur te ta njohuritë, përgjegjësinë dhe vetëdijen për rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) vazhdon angazhimin në edukimin dhe ndërgjegjësimin shëndetësor të fëmijëve dhe të gjithë popullatës, si dhe në promovimin e vaksinimit si një nga masat më efektive për mbrojtjen e shëndetit publik nga sëmundjet e parandalueshme me vaksina.

Të ngjashme