Pas takimit me Mbappen, Pele dërgohet në spital

Prishtinë | 04 Pri 2019 | 09:56 | Nga Ekonomia Online

Ikona braziliane e futbollit, Pele, u dërgua në spital të mërkurën në mëngjes, pasi pati një krizë të problemeve muskulore në dhomën e tij të hotelit në Paris, pasi u takua me yllin e Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappen.

78-vjeçari nuk u ndie mirë gjatë natës dhe u detyrua të dërgohej në spital për t’i ndërmarrë disa hapa parandalues, mirëpo gjenda e tij shëndetësore nuk konsiderohet e rrezikshme për jetën.

Sipas radiostacionit spanjoll, RMC Sport, Pele pati ethe dhe temperaturë shumë të lartë pasi u takua me yllin francez të Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappen, me të cilin i realizoi disa intervista.

Tri herë fituesi i Kupës së Botës dhe 20-vjeçari morën pjesë në një ngjarje, e cila ishte pjesë e një kampanje marketingu në kryeqytetin francez.

Sponsori i kësaj ngjarjeje e kishte planifikuar këtë event për vjeshtën e kaluar, mirëpo një problem shëndetësor ia kishte parandaluar brazilianit udhëtimin deri në Francë.

Në këtë ndeshje, Pele tha se Mbappe i ka të gjithë cilësitë për të qenë lojtari më i mirë i gjeneratës së vet, mirëpo beson se sulmuesi i Paris Saint-Germainin duhet të përmirësohet në aspektin fizik.

“Ai nuk është ende mbreti. Ai po i kalon disa teste për t’u bërë mbreti. Ka ende shumë hapa para vetes. Ai është i ri dhe sapo ka filluar. Në futboll, nuk mund të dish gjithçka. Ke gjithmonë diçka që mund të mësosh”, ka thënë Pele.

“Ai mund t’i përmirësojë lëvizjet e tij. Nëse mund ta këshilloj atë, i them se duhet të kujdeset për trupin e tij dhe për veten. Ai e ka teknikën, por aspekti fizik është gjëja më e rëndësishme për një atlet sot”.

Si Pele, Mbappe e ka fituar titullin e Kupës së Botës si adoleshent. Braziliani e ngriti këtë trofe në moshën 17-vjeçare, ndërsa Mbappe si 19-vjeçar. Pele e ngriti këtë trofe edhe dy herë të tjerë, duke u bërë futbollisti i vetëm në histori që ka triumfuar tri herë në Botëror.

Mbappe është në rrugë të ngjashme me brazilianin, pasi i shënoi katër gola në Botërorin e Rusisë dhe u shpall lojtari më i mirë i ri në këtë garë. Gjithashtu, ai pritet ta fitojë titullin e Ligue 1 për herë të tretë radhazi.

Pasi i shënoi 13 gola në 27 ndeshje sezonin e kaluar, Mbappe veçse e ka dyfishuar këtë shifër duke i shënuar 27 në 24 ndeshjet e këtij sezoni, të cilat i ndihmuan PSG-së të jetë në pozitën e parë në tabelën e Ligue 1, me 20 pikë më shumë se klubi në pozitën e dytë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme