Pas takimit në Prapashticë, LDK e VV takohen në 17:00 në ambientet e AUK-ut?

Prishtinë | 25 Jan 2020 | 16:58 | Nga Ekonomia Online

Pas dështimit të arritjes së marrëveshjes në institucione, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja i kanë zhvendosur takimet tashmë nëpër oda dhe zyre private.

Gazeta Metro duke u thirrur në burime brenda Lëvizjes Vetëvendosje raporton se vazhdimi i takimit të mbrëmshëm në Prapashticë, i cili kishte zgjatur deri pas mesnatës, do të jetë sot në orën 17:00 në ambientet e Universitetit Amerikan në Prishtinë, konkretisht në zyrën e nënkryetarit të parë të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, i cili ligjëron aty.

Por, zyrtarisht asnjëra parti nuk e ka konfirmuar nëse do të ketë takim.

Pas orës 17:00, në ambientet e AUK-ut që gjendet rrugës për Gërmi nuk shihet se ka ndonjë takim, tregon një burim për EO.

Po ashtu asnjëra palë nuk kanë folur për takimin e mbrëmshëm të fshehtë ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes në ranchin e Isa Mustafës në Prapashticë, mësohet se Albin Kurti e ka ofruar edhe dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës.

Po ashtu, pas arritjes së një pajtueshmërie për ndarjen e ministrive dhe pozitave kryesore, mbrëmë në ranchin e Isa Mustafës në Prapashticë, i cili kohë më parë ishte shënjestër e sulmeve fizike të militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje, mësohet se është diskutuar edhe për ndarjen e bordeve të pavarura, për emërimin e ambasadorëve politikë, për policinë, AKI-në, kryeprokurorin dhe gjyqtarët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme