Përfaqësues të ndërmarrjeve që merren me qarkullim të naftës, derivate të naftës, gazrave dhe lubrifikantëve përfaqësues të ndërmarrjeve që merren me qarkullim të naftës, derivate të naftës, gazrave dhe lubrifikantëve janë shprehur të kënaqur që “është thyer monopoli” i tregut të pajisjeve fiskale dhe janë shprehur të gatshëm që tani t’i përgjigjen fiskalizimit.
Duke folur në mbledhjen e Kuvendit të Shoqatës së ndërmarrjeve që merren me qarkullim të naftës, derivate të naftës, gazrave dhe lubrifikantëve (ShQNGL), kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, përshëndeti lirimin e çmimit të pajisjeve fiskale për naftëtarët.
“Ju përgëzoj për punën tuaj. Jeni kompani të cilat kontribuojnë në buxhet në punësim, kontribuoni në mirëqenien sociale”.
Janë rreth 180 kompani që merren me qarkullimin e naftës dhe derivate të saj në Kosovë. Një pjesë e tyre kishin refuzuar t’i përgjigjen fiskalizimit, me arsyetimin se pajisjet janë të shtrenjta dhe se nuk po lejohen të licencohen kompani të tjera për shitjen e këtyre pajisjeve.
Gërxhaliu tha se nga sot ky problem do t’i takojë të kaluarës. Ai ju bëri thirrje naftëtarëve që të fiskalizohen dhe të jenë kontribuues në arkën e shtetit.
Fadil Berjani, kryetar i ShQNGL-së, u shpreh se naftëtarët asnjëherë nuk kanë qenë kundër fiskalizimit. “Por çmimet larta na kanë detyruar të mos i blejmë ato pajisje. Por, pas këtij liberalizimi të tregut do ta përfundojmë sa më parë rifiskalizimin”, u zotua Berjani.
Sipas tij, pas tri vitesh angazhim të shoqatës është arritur që të ulen çmimet e arkave fiskale nga 18 500 euro në 4 000 euro.
“Ne duhet të jemi shembull për të gjitha shoqatat dhe OJQ-të se si punohet dhe si shtyhet një proces përpara. Apelojmë që rifiskalizimi të përfundojë sa më parë”, tha Berjani, raporton Ekonomia Online.
Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave, tha se Qeveria, prej ditës së parë, ka qenë e interesuar që ta thyejë monopolin në çdo fushë. “Jemi duke u munduar të identifikojmë se cilët janë ata sektorë dhe ato fusha që ndihmojnë në punësim… duke i ulur taksat, që është një logjikë e re ekonomike”.
“Besoj që do t’i shihni rezultatet, sepse ne sivjet kemi arritur që t’i rrisim të hyrat në buxhetin e Kosovës për 13 për qind”, u shpreh Krasniqi.
Përfaqësues të kompanive naftëtarë kanë kërkuar stimulime më të mëdha për bizneset nga ana e shtetit, përfshirë përmirësimin e klimës për të zhvilluar biznes.