Pasi të hënën u mor vendimi për rinisjen e Superligës së Kosovës më 7 qershor, tifozët e futbollit kosovar sonte mund të presin vendimin për të ardhmen e garës tjetër vendore, Kupës së Kosovës.
Pasi të gjitha aktivitetet sportive u pezulluan në mars, kur po afrohej fundi i sezonit 2019/20, shkaku i përhapjes së virusit Covid-19, tifozët e futbollit kosovar është dashur të kënaqen me ritransmetime të ndeshjeve të kaluara.
Megjithatë, Federata e Futbollit e Kosovës lajmëroi dje se është marrë vendimi që ndeshjet të kthehen në fushën e blertë nga 7 qershori deri më 25 korrik, përderisa tifozët s’do të lejohen në stadiume.
“Ndeshjet do të zhvillohen pa shikues dhe sipas orarit që kanë paraparë organet e FFK-së që do të zhvillohen prej 7 qershorit e deri më 25 korrik. KE falënderon Ministrinë Shëndetësisë, MKRS-në si dhe organet tjera për mirëkuptimin dhe vendimin e drejt në të mirë dhe interes të futbollit”, shkroi FFK-ja.
Ndërkohë, një vendim i tillë nuk është marrë ende për fatin e Kupës së Kosovës, që para ndërprerjes së sezonit kishte arritur deri në fazën gjysmë finale.
Për fatin e kësaj gare, FFK-ja do të vendosë në bashkëpunim me katër klubet gjysmëfinaliste, në takimin që pritet të fillojë në orën 12:00.
Në garë për trofeun e Kupës së Kosovës janë ende Prishtina, Ballkani, Feronikeli dhe Drenica. Skuadra fituese e kësaj gare siguron një vend në kualifikimet për Ligën e Evropës. /Gazeta Express/