Emërimet politike në misionet që Kosova i ka jashtë vendit nuk janë ndalur as pas zgjedhjeve të parakohshme. Dy ambasadorë e një konsulle e përgjithshme janë dekretuar prej 6 tetorit e këtej.
Dekretet i ka firmosur presidenti Hashim Thaçi, dhe i ka mbështetur në propozimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ). Nëpërmjet dy dekreteve, ambasadorë janë bërë Uliks Emra e Heroina Telaku, të cilët më parë u kanë shërbyer ministrave të Partisë Demokratike (PDK), subjekt politik që është drejtuar nga Thaçi derisa ai është zgjedhur president. Me tjetrin, është bërë konsulle e përgjithshme Suzan Novobrdalija, e cila ka qenë deputete e Aleancës Kosova e Re (AKR), parti që drejtohet nga ministri i MPJ-së Behgjet Pacolli.
“Z. Uliks Emra emërohet Shef i Misionit/Ambasador i republikës së Kosovës në Mbretërinë e Norvegjisë, me seli në Osllo”, thuhet në dekretin e presidentit, që mban datën 11 tetor. “Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, që të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Dekreti”.
Propozimin për Emrën, ministri Pacolli e kishte dhënë më 22 gusht, ditën kur ishte shpërndarë Kuvendi, vendimmarrje kjo që i ka imponuar zgjedhjet e parakohshme.
Rezultati preliminar i zgjedhjeve e zhvendosi PDK-në si parti të tretë. Është ky rezultati më i keqi për të, prej se është themeluar dy dekada më parë.