Ish-kandidati i Lëvizjes “Vetëvendosje” për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Fehmi Ferati, duket se ende nuk e ka kryer “betejën”, me tashmë kryetarin aktual të kësaj komune, Agim Bahtiri.
Ferati e Bahtiri, bashkë me kundër kandidatët nga partitë tjera politike, kishin qenë në garë për kryetar të Mitrovicës, në zgjedhjet lokale të 22 tetorit të vitit të kaluar.
Kandidati nga radhët e VV-së, Fehmi Ferati nuk kishte arritur të hyjë në garën e balotazhit, pasi kishte përfunduar i treti, derisa kandidati nga radhët e AKR-së, Agim Bahtiri, ka dal fitues në këto zgjedhje, pasi e kishte mposhtur në rundin e dytë, kandidaten nga PDK-ja, Valdete Idrizi.
Mirëpo, pak muaj pasi që kanë përfunduar këto zgjedhje, Fehmi Ferati, më 28 dhjetor të vitit 2017, ka ushtruar padi për shpifje ndaj Agim Bahtirit, pasi që pretendon se gjatë debateve televizive gjatë fushatës zgjedhore, tashmë kryetari i Mitrovicës, ka shpifur për të.
Ushtrimin e kësaj padie, për “Betimi për Drejtësi”, e kanë konfirmuar Fehmi Ferati dhe avokati i tij, Arianit Koci.
Ferati me anë të kësaj padie kërkon kompensim në vlerë të përgjithshme prej 25 mijë eurosh nga Agim Bahtiri, për dëmet që pretendon se i janë shkaktuar nga deklaratat e tij.
Ish-kandidati i VV-së për kryetar komune, kërkon 20 mijë euro për kompensim të dëmit material, për siç thuhet në padi, fitimet e humbura në veprimtaritë ndërmarrëse që paditësi posedon, kompania “Pro-FE-media”, dhe kompleksi “Villa Vllahia”. Ndërsa, pesë mijë euro i kërkon me pretendimin për cenimin e autoritetit, nderit, të lirive e të drejtave të personalitetit të tij.
Sipas padisë, që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, gjatë debatit parazgjedhor “Magazina Lokale” të transmetuar në Klan Kosova, më 29 shtator 2017, Agim Bahtiri ka shpifur ndaj kundër kandidatit, Fehmi Ferati.
“Në minutën 1:01:30, ka shpifur duke thënë ‘Ti ju ki 300 vetëve borxh nëpër fshatra. Ju ke marr djathë fshatarëve’”, thuhet ndër të tjerash në padinë e Fehmi Feratit.
“Përsëri gjatë të njëjtit emision, në minutën 1:02:20, derisa paditësi ishte duke shpjeguar planin e tij qeverisës, duke thënë se ‘Unë kam investuar, në Komunën e Mitrovicës dhe në vazhdimësi kam kërkuar investitorë’, është ndërprerë nga Bahtiri i cili ka thënë ‘Ku i ke marr të hollat për investim? Partia Demokratike t’i ka dhanë’”, thuhet gjithashtu në padi, ku sipas saj, një deklarim i tillë i Bahtirit, është shpifës, fyes dhe i pavërtetë.
Padia më tutje thotë se Bahtiri duke qenë në dijeni se deklarata e tij është e pavërtetë, por ka pasur për qëllim që “Feratin ta portretizoi si një hajn, i cili ka marr prodhimet e caktuara nga qytetarët dhe për këtë nuk ka paguar të hollat”.
Kurse, paditësi Ferati, në padi ka thënë se nuk i ka borxh asnjë fshatari nga të cilët e ka blerë djathin dhe prodhimet e tjera të qumështit, për restorantin që e ka në pronësi në fshatin Vllahi të Komunës së Mitrovicës.
Në padi, gjithashtu thuhet se sa i përket deklaratës të dytë të Bahtirit, se të hollat për investime janë siguruar nga një parti që Ferati nuk i përket, paditësi konsideron se këto janë deklarata të pavërteta dhe politike, të cilat janë thënë me qëllim të keq për të dëmtuar personalitetin dhe imazhin e tij në cilësinë e kundërshtarit të të paditurit në zgjedhjet lokale për kryetar komune.
Në padi është potencuar se pas këtyre deklaratave të Agim Bahtirit, aktiviteti ndërmarrës në bizneset që janë pronë e Fehmi Feratit, kanë pasur rënie në gjenerim të të hyrave, krahasuar me vitet e kaluara.
“Bahtiri me qëllim ka tentuar që të ekspozoi Feratin para turpit në komunitetin e tij, ku përmes deklaratave shpifëse e fyese ka denigruar personalitetin tim dhe ka dëmtuar reputacionin e veprimtarive ndërmarrëse që janë pronë e imja, duke më shkaktuar dëm të konsiderueshëm material e jomaterial”, thuhet ndër të tjerash në padi.