Ndeshja “El Clasico” mes Real Madridit dhe Barcelonës që luhet të dielën mbrëma, mund të ketë ndikim në garën për titullin e kampionit në La Liga, por të dyja skuadrat do të mundohen t’u kthehen rezultateve të mira pas paraqitjeve të dobëta në Ligën e Kampionëve.
Kjo përballje do të zhvillohet në stadiumin “Santiago Bernabeu” prej orës 21:00 dhe i takon xhiros së 26 të kampionatit spanjoll. Aktualisht, Barcelona prin në tabelë me 55 pikë, dy më shumë se Real Madridi që zë vendin e dytë.
Megjithatë, si Reali ashtu edhe Barcelona në këtë derbi futen pas ndeshjeve të dobëta që i zhvilluan në mesjavë në duelet e para të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve. Përderisa Reali pësoi në shtëpi nga Manchester City (2:1), Barcelona barazoi si mysafire e Napolit (1:1).
Real Madridi gjithashtu vjen edhe pas një serie të dobët që e pati në kampionat, që i kushtoi me humbje të pozitës së parë në tabelë. Në dy ndeshjet e fundit ka arkëtuar vetëm një pikë, pasi barazoi me Celta Vigon (2:2) dhe pësoi nga Levante (1:0) gjatë vikendit të shkuar. Por pavarësisht formës së dobët në javët e fundit, trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane ka besim të plotë në ekipin e tij. Zidane ka insistuar se pikërisht “El Clasicon”, Reali duhet ta shfrytëzojë për t’u kthyer tek fitoret. Ndeshja e parë e këtij sezoni, që u zhvillua në stadiumin “Camp Nou”, pati përfunduar pa gola.
“Ndeshjen e së dielës e shoh si një mundësi të mirë për të ndryshuar fatin tonë. Po kalojmë nëpër një moment të keq, por të dielën e kemi rastin e madh për të ndryshuar gjithçka dhe besoj se do ta bëjmë një gjë të tillë. Kemi nevojë që tifozët të na besojnë dhe të na përkrahin të dielën”, është shprehur Zidane.
“Në katër muajt e fundit kemi pasur rezultate të mira, kurse tani në tri ndeshjet e fundit kemi marrë një barazim dhe dy humbje. Kjo është shumë e vështirë për ne. Por jemi më të bashkuar se kurrë për t’iu kthyer rezultateve pozitive. Do të jetë një ndeshje e fortë dhe e madhe, të cilën duhet ta shfrytëzojmë për t’i përmirësuar gabimet e tri ndeshjeve të fundit”.
Krahas formës jo të mirë, të dyja ekipet do të futen në “El Clasico” me mungesa të mëdha. Reali do të jetë pa belgun Eden Hazard, si dhe Marco Asension e Rodrygon. Ndërkohë, Barcelonës për shkak të lëndimeve do t’i mungojnë Jordi Alba, Sergi Roberto, Ousmane Dembele e Luis Suarez. Në dyshim mbetet edhe qendërmbrojtësi Gerard Pique, që nuk është plotësisht i rikuperuar nga lëndimi.
Sikurse në ndeshjet e tjera, edhe në “El Clasico” Barcelona do të mbështetet tek ylli i saj më i madh, argjentinasi Lionel Messi. Messi ka shënuar katër gola dhe ka asistuar po aq herë në katër ndeshjet e fundit në La Liga. Kështu që sulmuesi argjentinas do të jetë shpresa më e madhe e Barçës ndaj Realit. Në fakt, Barcelona i ka fituar katër ndeshjet e fundit ndaj Realit që i ka zhvilluar në Madrid. Reali për herë të fundit e ka mposhtur Barcelonën në “Santiago Bernabeu” në vitin 2014. Në total, Barcelona nuk di për humbje nga Reali në shtatë duelet e fundit në të gjitha garat.
Për trajnerin e Barcelonës, Quique Setien, që erdhi në krye të ekipit para një muaji e gjysmë, ky do të jetë testi i parë i vërtetë. Madje, mediumet spanjolle kanë zbuluar se Setien ka pasur një takim të fshehtë me Pep Guardiolan pas fitores së Manchester Cityt ndaj Real Madridit, në mënyrë që të jetë sa më i përgatitur për “El Clasico”.
“Nuk ka rëndësi se kundër kujt luajmë, pasi në çdo ndeshje duhet të japim më të mirën nga vetja për të fituar. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por që ka rëndësi të madhe. Besoj se jemi të gatshëm për ta mbajtur pozitën aktuale në tabelë dhe për një gjë të tillë na duhet fitorja“, ka thënë portieri i Barcelonës, Marc-Andre ter Stegen.
Ndërkohë, të dielën mbrëma prej orës 20:45 në Serie A do të zhvillohet derbi i xhiros së 26-të mes Juventusit dhe Interit. Juventusi është lider në tabelë me 60 pikë, gjashtë më shumë se Interi, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Por ky derbi, që njihet si “Derby d’Italia”, që zhvillohet në “Allianz Stadium” të Torinos, do të luhet me dyer të mbyllura për shkak të rrezikut pas përhapjes së koronavirusit në Itali. Megjithatë, kjo nuk është ndeshja e vetme e kësaj xhiroje të kampionatit italian, që do të luhet me dyer të mbyllura. Pa praninë e tifozëve në tribuna, do të zhvillohen edhe takimet Udinese – Fiorentina, Milan – Genoa, Parma – SPAL e Sassuolo – Brescia.