Raste me COVID-19 janë shfaqur së paku në dy anije – një në Arktik dhe një në Paqësor – vetëm pak javë pasi kanë rifilluar pushimet në anije luksi, shkruan “The Guardian”.
Së paku 40 pasagjerë dhe anëtarë të stafit kanë rezultuar pozitivë me koronavirusin e ri në “MS Roald Amundsen” dhe autoritetet janë duke gjurmuar kontaktet e qindëra pasagjerëve.
Katër anëtarë të ekuipazhit të anijes “MS Roald Amundsen” janë hospitalizuar të premten, kur anija ka arritur në portin norvegjez në Tromso dhe më vonë janë diagnostikuar me COVID-19. Në teste është treguar se edhe 32 nga 158 anëtarë të stafit janë infektuar.
Por pasagjerët janë lejuar të largohen nga anija në Tromso, duke vështirësuar kështu operacioni për të gjurmuar ata në mënyrë që të frenohet përhapja e mundshme.
Deri më tash katër nga 387 pasagjerët që kanë udhëtuar me anije në dy raste të ndryshme që nga 17 korriku, kanë rezultuar pozitivë.
“Ne presim që të ketë më tepër infeksione të lidhura me këtë shpërthim”, ka thënë Line Vold, shef ekzekutiv i Institut të Shëndetit Publik në Norvegji (FHI).
Në mars, “Roal Amundsen” kishte mbetur në det për disa ditë me qindra pasagjerë, pasi Kili refuzoi t’i lejonte zbarkimin në post, pas rasteve të konfirmuara me koronavirus.
Në Paqësor, pasagjerët në anijen Paul Gauguin – që është ndalur në Papeete të Tahitit – janë udhëzuar të qëndrojnë në kabinat e tyre pasi janë zbuluar raste me COVID-19 në anije.
Paul Gauguin po lundronte mes Bora Boras dhe Rangiroas, kur u zbulua një rast pozitiv në mesin e anëtarëve të ekuipazhit. Anija është urdhëruar të kthehet në portin nga është nisur. Nuk dihet se sa pasagjerë janë në anije, por do të testohen të gjithë pasagjerët.