Sot pasdite fillon rinumërimi i 313 vendvotimeve për të cilat vendosi KQZ-ja një ditë më herët.
Lajmin për Ekonomia Online e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Elezi ka sqaruar se rinumërimi do të bëhet në transparencë të plotë dhe në prezencë të vëzhguesve.
Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për rinumërimin e 313 vendvotimeve, bazuar në rekomandimin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve.
Koordinatori i Qendrës për Numërimin e Rezultateve (QNR), Burim Ahmetaj, ka treguar për parregullsitë që kanë hasur gjatë procesit të numërimit.
“Në QNR një numër i rezultateve nuk ka mundur të procedohet siç ishte ndërrimi i shiritave apo edhe mospërputhjet me faqe. Në i kemi dërguar në karantinë dhe i kemi bashkangjitur raportet. Ky raport thotë se duhet patjetër te nunërohet. Në disa vendvotime mungon përputhja me fletëvotime”, tha ai.
Kurse kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se formularët janë shtypur gabimisht. Ajo tha se sekretariati është bartës i shtypjes të cilët janë shpërndarë në të gjithë Kosovën.