Institucioni i Avokatit të Popullit ka nxjerrë një vendim përmes të cilit i rekomandon Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës që drejtohet nga ministrja Donika Gervalla-Schwarz që t’i bëjë publike shpenzimet për karburant të diplomatit Prindon Sadriu në periudhën kohore shkurt 2019-shkurt 2022.
Gjithashtu Avokati i Popullit ka konstatuar se ministria e Jashtme ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve për lejimin në qasje të dokumenteve publike në rastin e kërkesës për qasje në dokumente publike nga gazeta ‘insajderi’.
“Avokati i Popullit konstaton se në rastin e ankueses MPJD-ja ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve lidhur me mundësimin, përkatësisht lejimin për qasje në dokumentet publike në përputhje me kërkesën e parashtruar të ankueses, e drejtë kjo e garantuar me akte vendore dhe me instrumente ndërkombëtare”, thuhet në dokumentin e Avokatit të Popullit.
Ky institucion ka treguar se do të presë brenda periudhës 30 ditore një përgjigje me shkrim nga MPJD për veprimet konkrete që do të ndërmerren lidhur me rastin në fjalë.
Ministria që drejton Donika Gërvalla për të njëjtën çështje është gjobitur me 13 mijë euro nga Agjenci për Informim dhe Privatësi.