Neymari e ka marrë lejen e Federatës së Futbollit të Brazilit për ta lëshuar kampin, përkundër që është i lënduar, në mënyrë që të ketë mundësi të dëshmojë në seancën gjyqësore për akuzat e parashtruara ndaj tij për përdhunim.
Ylli i Paris Saint-Germainit u akuzua nga modelja Najila Trindade se e kishte përdhunuar në një hotel në Paris më 15 maj, transmeton Gazeta Express.
“Kam marrë informata nga babai i Neymarit dhe avokatët se ai është ftuar në gjykatë më 7 qershor dhe unë dua ta konfirmoj se atleti, natyrisht, ai do të lirohet për ta dhënë dëshminë e vet”, ka thënë menaxheri i përgjithshëm i Kombëtares së Brazilit, Edu Gaspar.
Mediat braziliane i kanë publikuar disa pjesë të një videoje të incizuar nga gruaja që e akuzon Neymarin për përdhunim. Aty shfaqet një pjesë e asaj që kishte ndodhur mes këtyre të dyve në një hotel në Paris.
Në video shihet se Neymari dhe vajza janë të shtrirë së bashku dhe pastaj ajo fillon duke e goditur futbollistin.
Në videon e publikuar shihet Neymari duke e goditur Trindaden në fytyrë me këmbë dhe e kap atë për kyçe të duarve, në tentim për t’i ndalur goditjet e saj.
“Jo, jo, jo, jo, jo, mos më godit”, dëgjohet duke thënë Neymari.
“Jo? A do të më godasësh ti? A do të më godasësh?”, ia kthen Trindade.
Përderisa ajo e godet për herë të dytë, ajo dëgjohet duke thënë: “Por, unë do të të godas. A e di pse do të të godas? E di pse? Sepse dje më sulmove. Më le këtu vetëm”.
Pasi u akuzua për përdhunim, Neymari i bëri publike fotografitë dhe bisedat private me gruan që e akuzon për përdhunim në një video të postuar në llogarinë e vet zyrtare në Instagram, përmes së cilës u përpoq ta shpjegojë veten, transmeton Gazeta Express.
Me publikimin e fotografive dhe videove private të gruar në fjalë, Neymari i hapi vetes edhe me shumë telashe. Policia i ka nisur hetimet ndaj Neymarit për publikimin dhe shpërndarjen e fotografive private.
Sipas burimeve të mediat braziliane “UOL Esporte”, në dosjen e denoncimit të dorëzuar në polici ekzistojnë edhe imazhe, që mund të jenë foto ose video, që tregojnë agresivitetin e Neymar teksa kanë hyrë në dhomën e hotelit.
Pas këtij momenti, gruaja pretendon se ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj, por e frikësuar dhe e traumatizuar nga sjellja agresive e sulmuesit të PSG-së. Fotot në fjalë nuk janë bërë publike për shkak të hetimit që është në proces.
Madje, në raportin mjeko-ligjor, që është kryer në një klinikë në Sao Paolo të Brazilit thuhet se gruaja ka pasur hematoma dhe të nxira në pjesën e të pasmeve dhe në këmbë. Ndër të tjera raporti sqaron se ajo ka probleme me gastritin, ka humbur peshë dhe ka simptoma post-traumatike.
Neymari i ka mohuar të gjitha këto akuza, por ka qenë babai i futbollistit ai që ka kërkuar që të publikohen të gjitha videot e plota. Këtë kërkesë ai i ka bërë policisë pasi që është i sigurt se Neymari s’ka bërë asgjë, por pretendon se Najila po e bën këtë akuzë për të marrë para. /Gazeta Express/