Pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme, rritet çmimi i naftës edhe në Greqi

Prishtinë | 05 Mar 2026 | 14:12 | Nga Ekonomia Online

Çmimet e karburanteve në Greqi po shënojnë rritje të reja, nga tensionet në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe luhatjet e çmimit të naftës, në një periudhë kur situata gjeopolitike në Lindjen e Mesme po krijon presione të ndjeshme.

Në tregun me shumicë, çmimi i benzinës pa plumb është rritur brenda një jave me 2 cent dhe si rrjedhim në tregun me pakicë çmimi mesatar i benzinës në të gjithë Greqinë ka arritur rreth 1.77 euro për litër, ndërsa nafta e makinave është rritur në rreth 1.59 euro për litër.

Në zonat malore dhe ishujt çmimet janë nga 5-15 cent më të larta. Ekspertët tregojnë si shkak zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, ku çmimi i naftës Brent është rritur nga rreth 73 dollarë për fuçi në fund të shkurtit, në mbi 80 dollarë në fillim të marsit.

Ndërkohë, autoritetet greke kanë kryer më shumë se 700 kontrolle në pika karburanti në të gjithë vendin dhe në rastet ku janë konstatuar shkelje janë vendosur gjobat përkatëse. Ekspertët paralajmërojnë se zhvillimet e ardhshme do të varen nga stabilizimi i çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Sipas tre skenarëve që qarkullojnë në treg, nëse nafta mbetet rreth 80 dollarë për fuçi, benzina në Greqi mund të lëvizë nga 1.80 deri në 1.90 euro për litër. Ndërsa në një skenar ekstrem me naftën deri në 140 dollarë për fuçi, çmimi i saj mund të ngjitet edhe në 2.40 deri në 2.50 euro për litër.

Ndërkohë rritje me 50% ka pësuar çmimi i gazit natyror në tregun me shumicë para 3 ditësh për tu ulur disi ditën e djeshme me 10%.Ekspertët theksojnë se si një vend që importon pjesën më të madhe të energjisë, Greqia është veçanërisht e ndjeshme ndaj ndryshimeve në tregjet ndërkombëtare, çka do të thotë se çdo rritje e çmimit të naftës kalon relativisht shumë shpejt edhe te konsumatorët.

Të ngjashme